PROJEKT-BUXHETI 2026/ Parashikohet rritje e pagës minimale – Kryeministri: Bëhet 50 mijë lekë për mbi 300 mijë të punësuar

Kryeministri Edi Rama ka bërë publike detaje të rëndësishme nga projektbuxheti i vitit 2026, i cili tashmë është dorëzuar në Kuvend për shqyrtim, duke e cilësuar si një buxhet që vë në qendër pensionistët dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve. Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, Rama theksoi se “pjesën e luanit” të buxhetit e zënë fondet për pensionistët, të cilët do të përfitojnë rritje të ndjeshme në vitet në vijim. Sipas tij, në vitin 2026 parashikohen 100 milionë euro shtesë për pensionet, përveç indeksimit, ndërsa deri në vitin 2030 kjo shumë do të arrijë në 500 milionë euro në vit, me një total prej rreth 1.7 miliardë eurosh më shumë për këtë kategori.

“Padyshim që pjesën e luanit në projektbuxhetin e vitit 2026 që sapo ka shkuar në parlament e zënë pensionistët. Për të cilët e nisin vitin e ardhëm me 100 mijë euro shtesë përveç indeksimit, në 2027-ën e dyfishojmë shtesën në 200 milionë euro plus indeksimi 45 milionë euro, në 2028-ën e trefishojmë në 300 milionë euro plus indeksimi në 46 milionë euro, në 2029-ën e katërfishojmë në 400 milionë euro plus indeksimi 47 milionë euro dhe në 2030 e pesëfishojmë në 500 milionë euro plus indeksimi 48 milionë euro. Pra janë rreth 1.7 miliardë euro më shumë që pensionistët do të marrim mbrapsht nga investimi i tyre për mandatin tonë të katërt qeverisës.”

Përveç pensionistëve, kryeministri njoftoi edhe rritje të konsiderueshme të pagës minimale, e cila nga janari 2026 do të arrijë në 500 euro për mbi 300 mijë punonjës, me synimin që gjatë mandatit të katërt qeverisës të shkojë në 700 euro. Rama shtoi se qeveria do të mbështesë edhe sektorin privat përmes një subvencioni prej 90 milionë eurosh që do të mbulojë një pjesë të kostos së sigurimeve shoqërore, me qëllim lehtësimin e barrës për punëdhënësit dhe nxitjen e punësimit.