Shtatë persona kanë mbetur të vdekur dhe 11 të plagosur pasi një aeroplan mallrash u rrëzua ndërsa po ngrihej nga një aeroport në Louisville, Kentucky të martën në mbrëmje. Një re e madhe tymi të zi dallohej pak pas përplasjes së avionit.
Autoritetet janë shprehur se bilanci i viktimave mund te vazhdojë të rritet pasi personat e lënduar janë në gjendje të rëndë.
Guvernatori Andy Beshear tha se statusi i ekuipazhit në bordin e avionit është ende i pasigurt dhe ata po punojnë për të kontaktuar sa më shpejt familjet e prekura. “Kushdo që ka parë pamjet e di sa i dhunshëm është ky aksident, dhe ka shumë familje që do të presin dhe do të shqetësohen për një periudhë kohe,” tha ai.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) dhe Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) po hetojnë aksidentin e fluturimit UPS 2976. NTSB do të udhëheqë hetimin, tha FAA e martën.









