VENDORET NE SHBA/ Demokratët dominojnë shumicën dërmuese të bashkive – mediat shpegojnë votën: Mesazh kundër Trump

Votuesit në të gjithë Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara i dhanë një fitore të gjerë Partisë Demokratike në zgjedhjet e së martës, në një valë votash që shihet si shprehje e pakënaqësisë ndaj Presidentit Donald Trump, gati një vit pas fillimit të mandatit të tij të dytë.

Rezultatet shënojnë një fitore të gjerë për demokratët në disa shtete kyçe, përfshirë Virxhinian, New Jerseyn, New York-un, Kaliforninë dhe Pensilvaninë, duke forcuar pozitën e tyre përpara zgjedhjeve të mesmandatit dhe presidencialeve të vitit 2028.

Në New York City, socialisti demokrat Zohran Mamdani shënoi një fitore të bujshme, duke mundur për herë të dytë ish-guvernatorin Andrew Cuomo – fillimisht në zgjedhjet paraprake dhe më pas në ato të përgjithshme, ku Cuomo kandidonte si i pavarur me mbështetjen e Trump-it. “Ne përmbysëm një dinasti politike. E ardhmja është në duart tona”, tha Mamdani pas fitores.

Një ndër figurat kryesore të Partisë Demokratike, Alexandria Ocasio-Cortez, e komentoi rezultatin si një sinjal të qartë kundër presidentit republikan:

“Nuk është vetëm një mesazh për demokratët; është një mesazh për gjithë vendin. Amerikanët janë të tmerruar nga ajo që po shohin të dalë nga kjo administratë,” tha ajo për CNN gjatë festës së fitores së Mamdanit.

Në Virxhinia, ish-përfaqësuesja e moderuar Abigail Spanberger shënoi një tjetër rezultat historik, duke fituar me diferencë të thellë ndaj rivales republikane Winsome Earle-Sears. Ndërkohë në New Jersey, demokratja Mikie Sherrill arriti një fitore të fortë ndaj republikanit Jack Ciattarelli, duke rrëzuar një koalicion të mbështetur nga Trump.

Në Kaliforni, votuesit miratuan një masë për rindarjen e zonave zgjedhore, e cila pritet të rrisë mundësitë e demokratëve për të ruajtur kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve. Në Pensilvani, demokratët ruajtën shumicën në Gjykatën Supreme të shtetit, duke fituar një garë të rëndësishme në një shtet që shpesh vendos fatin e zgjedhjeve presidenciale.

Në New Jersey, Sherrill fitoi bindshëm edhe votuesit latino-amerikanë, me 64% të mbështetjes, krahasuar me 32% për rivalin e saj Ciattarelli, sipas sondazheve të CNN-së. Ajo fitoi gjithashtu 91% të votuesve me ngjyrë dhe shumicën e të pavarurve.

Në Maine, votuesit hodhën poshtë një nismë për kufizimin e të drejtës së votës që kërkonte paraqitjen e dokumenteve identifikuese me foto, një masë e mbështetur nga republikanët.

Fitoret e së martës, ndonëse të ndryshme në profil politik, kishin një temë të përbashkët: mesazhin kundër politikave të Trump dhe përqendrimin te përballueshmëria ekonomike.