Turqia këtë të hënë organizon në Stamboll një takim të ministrave të jashtëm të vendeve myslimane për të krijuar një qëndrim të përbashkët mbi të ardhmen e Rripit të Gazës, ku situata e sigurisë dhe humanitare mbetet e pasigurt pavarësisht armëpushimit në fuqi. Ministrat e jashtëm të Turqisë, Arabisë Saudite, Katarit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Jordania, Pakistani dhe Indonezia u pritën nga Donald Trump në fund të shtatorit në Nju Jork, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Presidenti amerikan paraqiti planin e tij për t’i dhënë fund konfliktit të armatosur në Rripin e Gazës gjashtë ditë më vonë. Armëpushimi i brishtë hyri në fuqi më 10 tetor, pas dy vitesh lufte shkatërruese që ushtria izraelite nisi pas inkursionit të paprecedentë të Hamasit në territorin jugor të Izraelit më 7 tetor 2023.
Në kuadër të takimit të sotëm, Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan priti të shtunën një delegacion nga zyra politike e Hamasit në Stamboll, të udhëhequr nga Khalil al-Haya, kryenegociatori i lëvizjes islamike palestineze.
Sipas Ministrisë së Jashtme turke, Fidan do të bëjë thirrje për krijimin e mekanizmave që do t’u lejojnë palestinezëve të garantojnë sigurinë dhe qeverisjen e enklavës së vogël bregdetare. Kreu i diplomacisë turke, i cili akuzon Izraelin se kërkon pretekste për t’i dhënë fund armëpushimit, do të këmbëngulë gjithashtu në nevojën për të rritur ndihmën humanitare të shpërndarë në Rripin e Gazës.









