Punonjësit e minierës së bakrit në Spaç përshkallëzuan protestën e tyre këtë të enjte, duke u pozicionuar para Kuvendit të Shqipërisë.
Minatorët kërkojnë njohjen e sindikatës së krijuar prej tyre dhe nënshkrimin e një kontrate kolektive, që sipas tyre do të garantonte paga të drejta dhe kushte të sigurta pune.
Me pankarta në duar, minatorët e Spaçit kërkojnë të drejtat e tyre, kushte më të mira pune si edhe pensione dinjitoze për punën që kanë bërë ndër vite.
“Duam të drejtat tona”, brohorasin protestuesit jashtë Kuvendit, ndërsa brenda në Parlamentit mbahet sot seanca e radhës plenare.
Minatorët shprehen se do të vazhdojnë protestën derisa kërkesat e tyre të merren në konsideratë dhe të nisin bisedimet formale për kontratën kolektive.
Kompania, ndërkohë, këmbëngul në respektimin e procedurave ligjore për njohjen e sindikatës përpara çdo negociate.









