OPERACIONI “THE WANTED”/ Ekstradohet nga Italia i shumëkërkuari me urdhër të GJKKO – koka e lavatriçes së një grupi kriminal në Durrës…EMRI

Një shtetas i shpallur në kërkim me urdhër të Gjykatës së Posaçme (GJKKO) si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal është ekstraduar nga Milano.

I ekstraduari Erind Lasku akuzohet se koordinoi pastrimin e parave të një grupi kriminal në Durrës, të fituara nga trafikimi i lëndëve narkotike.

Ndaj tij GjKKO, në muajin prill 2025, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Vijon bashkëpunimi i ngushtë me partnerët, në kuadër të operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Wanted”.

Ekstradohet nga Milano, shtetasi që koordinoi pastrimin e parave të një grupi kriminal në Durrës, të fituara nga trafikimi i lëndëve narkotike.

Si rezultat i partneritetit shumë të ngushtë të specialistëve të Drejtorisë së Interpolit me ata të Interpol Romës, gjatë kësaj faze të operacionit “The Wanted”, u finalizua procedura e ekstradimit nga Italia, në Shqipëri, të shtetasit E. L..

Ai kërkohej ndërkombëtarisht, sepse GjKKO-ja, në muajin prill, 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Në krye të skemës qëndron vetë Adi Çoba, i cili rezulton të jetë drejtuesi i organizatës, i cili siguronte dhe dërgonte nga jashtë, sasi të mëdha heroine dhe kokaine në Itali.

Ai koordinonte dhe drejtonte nga Shqipëria aktivitetet e anëtarëve të tjerë të organizatës, shqiptarë dhe italianë.