Detaje të reja kanë dalë në dritë mbi furgoni në të cilin u gjendën 23 armë zjarri të llojeve të ndryshme, nga ato të thjeshta e deri tek më të sofistikuarat, i cili “fshihej” nën logon e mirëmbajtjes rrugore.
Burime për mediat kanë bërë me dije se furgoni prej një muaji parkohej në atë zonë, dhe po prej një muaji ruhej me efektivë civilë në mënyrë që të zbuloheshin individët që do të hynin në të.
Fillimisht është ndërhyrë nga Policia Rrugore, një manovër kjo e agjentëve të policisë, me argumentin se kishte bllokuar rrugën dhe sapo janë konstatuar armët është bërë ndërhyrja nga agjentët e krimeve.
Kujtojmë se armët e gjrrtura kishin si destinacion final grupet kriminale me baza në Tiranë, Laç dhe Burrel. Dhe dyshohet se ishin trafikuar nga Kosova. Gjithashtu autoritete arritën të zbulonin dhe magazinën e këtyre armëve e ndodhur në afërsi të vendit ku ndodhi dhe bastisja.Në pranga ra Eugert Sino 34 vjeç ndërsa 2 persona të tjerë janë shpallur në kërkim. Identitetet e këtyre dy të fundit nuk janë bërë me dije për shkak të procesit hetimor.
Konkretisht brenda në automjet u gjetën dhe u sekuestruan 12 pistoleta të llojeve “Beretta”, “Glock”, “Rex Delta”, “Ruger-57” dhe “Tanfoglio”; 6 armë automatike; 5 armë me tytë të gjatë (me shënjestër optike, të ngjashme me snajper); 1 silenciator; 17 krehra për armë zjarri të ndryshme; pjesë të ndryshme armësh zjarri; 15 000 fishekë; 17 kuti me pranga të ngjashme me ato që përdoren nga Policia; 12 celularë dhe pajisje që përdoren për shpërthime në distancë; pajisje elektronike gjurmuese (GPS); pajisje për bllokimin e valëve; pajisje për numërimin e kartëmonedhave; 3 komplete uniformash të ngjashme me ato të Policisë.









