GRABITJA E LUVRIT/ Vodhën bizhuteri me vlerë 88 mln euro – arrestohen 5 të dyshuarit e tjerë

Autoritetet franceze arrestuan të mërkurën në mbrëmje (29/10) pesë të dyshuarit e tjerë për vjedhjen në muzeun e Luvrit më 19 tetor në zonën e Parisit, ku u vodhën tetë nga xhevahiret e kurorës së Francës me vlerë rreth 88 milionë euro.

Koleksioni i vjedhur përfshinte një gjerdan dhe një vath nga koleksioni Marie-Louise, një gjerdan, vathë dhe diademë nga koleksionet Marie-Amelie dhe Hortense, dhe dy brosha, një fjongo korseje dhe një diademë nga koleksioni Perandoresha Eugenie.

Mediat në Francë raportojnë se pesë arrestimet e reja u kryen gjatë natës rreth rajonit të Parisit.

Ndërkohë dy të tjerët që u arrestuan disa ditë më parë u lanë në paraburgim të mërkurën.

I dyshuari i tretë i vjedhjes, sipas mediave franceze, dyshohet se ishte në vendin e vjedhjes ditën e ngjarjes. Hetimet janë duke vazhduar për të përcaktuar rolin e saktë të secilit prej të autorëve të dyshuar të vjedhjes.

Ndërkohë dy të dyshuarit që u arrestuan disa ditë më parë për grabitjen e Luvrit kanë pranuar “pjesërisht” përfshirjen e tyre, zbuloi prokurorja e Parisit Laure Beko, ndër të tjera, në një konferencë për shtyp të mërkurën pasdite (29/10).

Dy të dyshuarit janë rreth 30 vjeç nga Saint-Denis, sipas një burimi pranë hetimeve. Ata janë persona të njohur për policinë për vjedhje.

Njëri nga dy të dyshuarit u arrestua të shtunën (25/10) në mbrëmje në aeroportin e Roissy-t, teksa po tentonte të arratisej në Algjeri.