Zyrtarët thonë se numri i personave të vrarë në një bastisje vdekjeprurëse të policisë në qytetin brazilian të Rio de Janeiro të martën është rritur në 132.
Kjo është më shumë se dyfishi i shifrës së cituar pas operacionit policor në favelat (lagjet e varfra) të Alemão dhe Penha, në veri të Rio de Janeiro, të martën.
Zyra e avokatit publik, e cila ofron ndihmë ligjore për të varfrit, bëri publik numrin e ri të të vdekurve pasi banorët e pikëlluar varrosën dhjetëra trupa në një shesh herët të mërkurën.
Bastisja policore ishte më vdekjeprurësja në qytet, ku autoritetet për dekada janë përpjekur të përmbajnë bandat që kontrollojnë shumë nga lagjet e varfra.
I pyetur për shifrën e dhënë nga zyra e avokatit publik, guvernatori i shtetit të Rio-s, Cláudio Castro, tha se puna mjeko-ligjore ishte ende në vazhdim dhe se derisa të përfundonte, shifra zyrtare që i ishte dhënë ishte 58 të vdekur, megjithëse ishte “e sigurt se do të ndryshonte”.
Midis atyre që shprehën tronditje për numrin e të vdekurve ishte Presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva.
Sipas ministrit të drejtësisë të Brazilit, Lula ishte “i habitur” dhe gjithashtu shprehu habinë e tij që qeveria federale nuk ishte informuar paraprakisht.
Edhe para se numri i të vdekurve të dyfishohej, zyra e të Drejtave të Njeriut e Kombeve të Bashkuara kishte thënë se ishte “e tmerruar” nga operacioni policor.
Të mërkurën në mëngjes, banorët i çuan trupat e të vrarëve në një shesh në Penha, ku i vendosën pranë njëri-tjetrit në një radhë të gjatë për të treguar natyrën vdekjeprurëse të bastisjes.
Sipas mediave braziliane, vlerësimet varionin midis të paktën 50 dhe më shumë se 70 trupave.
Shumë prej trupave thuhet se ishin nxjerrë nga një kodër aty pranë, ku policia tha se kishin ndodhur shumica e përleshjeve vdekjeprurëse.
Sipas policisë, anëtarët e bandave përdorën gjithashtu dronë për të hedhur eksplozivë mbi oficerët ndërsa ata shpërndaheshin nëpër lagje, të cilat janë fortesa të Komandës së Kuqe.
“Kështu trajtohet policia e Rios nga kriminelët: me bomba të hedhura nga dronë. Kjo është shkalla e sfidës me të cilën përballemi. Ky nuk është krim i zakonshëm, por narko-terrorizëm”, tha Guvernatori Castro.
Guvernatori Castro tha se bastisja kishte qenë dy muaj në planifikim dhe ishte bazuar në një hetim të plotë.
Midis të arrestuarve është një burrë i akuzuar si një tregtar kryesor droge për Komandën e Kuqe.
Guvernatori gjithashtu postoi në rrjetet sociale foto të katër oficerëve të policisë që u vranë në operacion.
Ai vlerësoi oficerët e vrarë në atë që e quajti “një ditë historike” në të cilën tha se ata “u përballën me krimin e organizuar”.
Bastisja e policisë vjen gjithashtu vetëm pak ditë para se qyteti të presë Samitin Botëror të Kryetarëve të Bashkive C40 – një takim i gati 100 kryetarëve të bashkive nga qytetet kryesore të botës – dhe Çmimin Earthshot – çmimin mjedisor që do të ndahet nga Princi William më 5 nëntor.
Bastisjet e mëdha policore nuk janë të pazakonta në Rio, por numri i viktimave në operacionin e së martës është.
Sipas Soares, operacionet policore në të cilat vriten më shumë se 20 persona janë “shumë të rralla” në të gjithë Brazilin dhe ato që ndodhin, kanë ndodhur kryesisht në Rio.
Ministri i Sigurisë Publike i Rio de Janeiros, Victor Santos, tha se 280,000 njerëz jetonin në zonat ku u zhvilluan bastisjet.









