Presidenti Vladimir Putin njoftoi sot, më 29 tetor, se Rusia ka testuar një dron nënujor të aftë për të transportuar armë bërthamore, “Poseidon”, disa ditë pas testit të suksesshëm përfundimtar të raketës së re të lundrimit me rreze të gjatë veprimi me energji bërthamore Burevestnik.
“Dje, ne kryem një tjetër provë, këtë herë të një sistemi tjetër premtues – dronit nënujor Poseidon”, tha Putin, duke pirë çaj me ushtarët rusë të plagosur në luftën në Ukrainë në një spital në Moskë.
“Nuk ka asnjë mënyrë për ta ndaluar atë”, tha presidenti rus.
Sipas Moskës, kjo armë ka shtytje bërthamore dhe mund të mbajë edhe koka bërthamore.
Nuk ka detaje të mjaftueshme të konfirmuara rreth Poseidonit, por në thelb është një torpedo autonome me aftësi bërthamore, e aftë të shkaktojë valë radioaktive në oqean, duke i bërë qytetet bregdetare të pabanueshme.
“Ky është një sukses i madh”, tha Putin, duke shtuar se fuqia e Poseidonit tejkaloi raketën balistike ndërkontinentale Sarmat, të njohur si SS-X-29, ose thjesht Satan II. “Fuqia e Poseidonit tejkalon ndjeshëm fuqinë edhe të raketës balistike ndërkontinentale Sarmat më premtuese”, vuri në dukje presidenti rus.
Disa ditë më parë, Moska testoi një raketë të re me energji bërthamore që mund të mbajë një kokë bërthamore, të quajtur Burevestnik. Raketa përshkoi një distancë prej 14,000 kilometrash dhe qëndroi në ajër për rreth 15 orë, sipas forcave të armatosura ruse.
Putini ka deklaruar se Burevestnik (“Detari”) është “i padukshëm” për sistemet aktuale dhe të ardhshme të mbrojtjes nga raketat, me një rreze veprimi pothuajse të pakufizuar dhe një rrugë fluturimi të paparashikueshme.
Që nga njoftimi i parë i sistemeve të reja të armëve Poseidon dhe Burevestnik në vitin 2018, Putin e ka karakterizuar ndërtimin e tyre si një përgjigje ndaj lëvizjeve të SHBA-së për të ndërtuar një mburojë mbrojtëse nga raketat pas tërheqjes së njëanshme të Uashingtonit në vitin 2001 nga Traktati i Raketave Anti-Balistike i vitit 1972 dhe zgjerimi i NATO-s.









