REAGIMI I FORTE/ Dumani flet për të ardhmen e tij: Nuk dorëzohem, do mbetem prokuror

Kreu i SPAK gjatë raportimit të tij në Kuvend ka deklaruar se ka kërkuar disa herë të rishikohet mandati i kreut të SPAK, por kjo, sipas tij, është keqinterpretuar si një nismë me motive personale

Altin Dumani iu përgjigj pyetjes së deputetes së PD-së, Jorida Tabaku, lidhur me qëndrimin e tij pas përfundimit të mandatit si drejtues i SPAK dhe nëse kjo nënkupton një “dorëzim” përballë presioneve politike apo hetimeve të ndjeshme.

Dumani mohoi çdo interpretim të tillë, duke theksuar se do të vijojë të jetë pjesë e sistemit të drejtësisë dhe se nuk i trembet asnjë sfide.

“Nuk jam njeri që dorëzohem, i bëj ballë sfidave. Për një gjë të jeni të sigurt – do të jem prokuror pavarësisht mandatit”, deklaroi ai.

Ai shtoi se i ka kërkuar disa herë Kuvendit të rishikojë mandatin e kreut të SPAK, por kjo, sipas tij, është keqinterpretuar si një nismë me motive personale. “E kam ngritur këtë si çështje institucionale, jo për veten time. Nëse politika mendon se rishikimi lidhet me emrin tim, unë nuk kandidoj”, tha Dumani.

Në fund të fjalës së tij, ai citoi një thënie të John F. Kennedy-t, duke e lidhur me misionin e drejtësisë: “E ndjej punën, kam guximin, por përpiqem të jem i mirëkuptueshëm — kjo thënie vlen për të gjithë prokurorët”.