Ish-kryebashkiaku socialist i Durrësit dhe një ndër njerëzit më me ndikim në strukturat e Partisë Socialiste në këtë qark, Vangjush Dako duhet të kthehet në qeli. Kështu ka vendosur këtë të martë Gjykata e Posaçme e Apelit.
Togat e zeza kanë lënë në fuqi vendimin për dënimin e tij me 4 vite burg për dy raste korrupsioni dhe tashmë ish-kryebashkiaku duhet të kthehet nga “Arresti në shtëpi”, në qelitë e paraburgimit.
Në Nëntor 2024, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 4 vite burg ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, sipas pretencës së dhënë nga prokurori Sotir Kllapi. Mirëpo, Dako nuk e pranoi vendimin dhe apeloi.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar atij i ulet 1/3 e dënimit, duke zbritur në 2.8 vite burg, të cilat sërish Vangjush Dako nuk pranoi t’i vuante në qeli. Pas kërkesave të përsëritura nga avokatët, ish-kryebashkiaku u dërgua në “Arrest shtëpie” deri në shqyrtimin përfundimtar të apelimit.
Zyrtari i lartë socialist akuzohet se bashkë me drejtuesin e Urbanistikës në Bashki dhe topografët, kanë zbardhur një leje 4 vite pasi pallati ishte ndërtuar.
Objekt hetimi kanë qenë dy fakte penale dhe më konkretisht, procedura e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatësh dhe plotësimi i dokumentacionit të tij deri në regjistrimin e pasurisë.
Gjithashtu, dhe procedura e prokurimit Shërbim Konsulence për sigurimin e projektit “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”. Me vendimin e sotëm të Gjykatës së Posaçme të Apelit, Vangjush Dako duhet të kthehet në qeli.









