Një studim i Universitetit të Mannheim-it, në bashkëpunim me ekonomistë të Bankës Qendrore Evropiane, zbulon se valët e të nxehtit, thatësirat dhe përmbytjet prekën një të katërtën e të gjitha rajoneve të BE-së gjatë verës së vitit 2025.
Këto ngjarje ekstreme të motit shkaktuan humbje ekonomike afatshkurtra prej të paktën 43 miliardë euro këtë vit për vendet evropiane, ndërsa kostoja totale pritet të arrijë në 126 miliardë euro deri në vitin 2029.
Humbjet e menjëhershme përfaqësojnë 0.26 për qind të prodhimit ekonomik të BE-së në vitin 2024, sipas të njëjtit studim.
Ndryshe nga vlerësimet tradicionale, të cilat fokusohen vetëm tek dëmet në infrastrukturë apo ndërtesat e shkatërruara, ky kërkim merr parasysh edhe kostot e fshehura që shumëfishohen dhe përhapen me kalimin e kohës.
Në këto kosto përfshihet humbja e të ardhurave nga turizmi, ulja e produktivitetit apo ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit.
Në total, 96 rajone përjetuan valë të të nxehti, 195 u prekën nga thatësira dhe 53 rajone u goditën nga përmbytjet. Çdo lloj moti ekstrem ndikon në aktivitetin ekonomik në mënyra të ndryshme.
Thatësira ndikon kryesisht në bujqësi, duke dëmtuar prodhimin dhe zinxhirët e furnizimit, ndërsa i nxehti ul produktivitetin në sektorin e ndërtimit dhe në shërbimet hoteliere.
Sipas studimit, vendet e Mesdheut po përballen me koston më të lartë të pasojave klimatike. Në shtete si Spanja, Italia, Portugalia, jugu i Francës dhe Greqia, rreziku për valë të të nxehti dhe thatësira është më i lartë.
Megjithëse dëmet janë më të ulëta në vendet veriore dhe qendrore të Evropës si Danimarka, Suedia dhe Gjermania, përmbytjet në këto zona po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më të kushtueshme.
Studimi nuk përfshin rreziqet nga zjarret, të cilat këtë vit thyen rekorde në të gjithë Evropën.









