ZYRTARE/ KLP hap garën për drejtuesin e ri të SPAK – ja kur do të startojë prproçesi që do përmbyllet me zgjedhjen e pasardhësit të Altin Dumanit…

Këshilli i Lartë i Prokurorisë brenda pak ditësh do të hapë garën për të aplikuar kandidatët për postin drejtues të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

KLP njofton se më 17 shtator në orën 10:00 do të shpallë garën për kreun e ri të SPAK-ut.

Mandati 3-vjeçar i Altin Dumanit në krye të SPAK përfundon në 16 dhjetor 2025. Sipas ligjit, prokurorët e SPAK nuk kanë të drejtë të rizgjidhen në krye të institucionit dy mandate rresht.

Rendi i ditës:

1.      Miratimi i Procesverbalit të mbledhjes plenare të datës 04.09.2025;

2.      Diskutimi/miratimi i Projekt-vendimit “Për shpalljen e vendit vakant për Drejtues të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”;

3.      Diskutimi/miratimi i “Projektraportit të Vlerësimit Etik dhe Profesional për prokurorin Françesk Ganaj”;

4.      Diskutimi/miratimi i “Projektraportit të Vlerësimit Etik dhe Profesional për prokurorin Ermira Manelli”;

5.      Diskutimi/miratimi i “Projektraportit të Vlerësimit Etik dhe Profesional për prokurorin Hysni Mulaj”.

Sipas njoftimit, ky takim do të transmetohet “live” nga mediat në sallën e mbledhjeve ku prezent të jenë Anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe përfaqësuesve nga Prokurori i Përgjithshëm, Ministria e Drejtësisë, Projekti Eu4Justice dhe Programi OPDAT. 

SPAK-u brenda organikës ka shumë prokurorë me integritet që mund të zëvendësojnë Altin Dumanin i cili edhe pas mandatit 3-vjeçar në krye të Prokurorisë së Posaçme, do të vazhdojë të jetë pjesë e “godinës së qelqtë”.

Altin Dumani do të mbahet mend për “dosjet e nxehta” në politikë por edhe krimin e organizuar. Gjatë mandatit të Altin Dumanit në krye të SPAK-ut, janë arrestuar dhe dënuar politikanë që deri dje konsideroheshin të paprekshëm, duke filluar nga drejtorë, kryebashkiakë, ministra dhe duke përfunduar tek ish-kryeministrat (Meta dhe Berisha).