INTIMIDIMI/ Rama ndërhyn tek vendimet e drejtësisë – i bën gjyq publik gjyqtarit të Tiranës: Ktheu në detyrë drejtorin! Shteti ta rimarrë këtë birbo në krahët e vet

Kryeministri Edi Rama ka denoncuar me foto një rast, të cilin ai e konsideron flagrant, të gjyqtarit të Gjykatës Administrative Tiranë, Marko Boshku, për kthimin në detyrë të ish-drejtorit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

“Pa asnjë gajle fare,  gjykatësi Boshku, ka vendosur të kthejë fishek në detyrë një shkelës brutal të ligjit dhe mashtrues të kapur me presh në duar, e për pasojë edhe të larguar nga detyra e të çuar në prokurori! Rasti është i ububushëm”,shkruan kryeministri.

Ai thotë drejtuesi rajonal i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore jo vetëm kishte marrë pjesë në një ndërtim pa leje në Ksamil (i denoncuar nga njerëzit e zonës), po edhe kishte mashtruar me shkrim, duke pretenduar legalizimin e ndërtimit, me gënjeshtrën se ndërtimi ishte bërë në 2018-ën.

“Por fotot satelitore nxorrën bishtin e gjatë të gënjeshtrës, duke provuar se ndërtimi është bërë shumë kohë pas vitit 2020; vit që sipas ligjit është edhe viti i fundit për marrjen në shqyrtim të kërkesave për legalizim.

Pra birboja kishte ndërtuar pa leje duke qenë edhe drejtor i një institucioni ligjzbatues, gjë që çoi në largimin e tij nga AMP-ja dhe dorëzimin e rastit të tij në Prokurorinë e Sarandës”, vijon Edi Rama, duke theksuar se pavarësisht veprimeve policore, drejtësia kërkon ta kthejë sërish në detyrë.

“Mirëpo, ka ligj ka edhe Maliq i thonë kësaj, sepse ndërkohë që shteti, përmes Policisë kërkon nga drejtësia në Sarandë ndëshkimin ligjor të birbos, drejtësia në Tiranë, përmes gjykatësit Boshku,  kërkon nga shteti të rimarrë birbon në krahët e vet. Madje ta përqafojë dhe ta ulë përsëri në karrigen e drejtorit! Çfarë të thuash”,shkruan kryeministri.

Ai paralajmëron se Ministria e Drejtësisë, do t’ia përcjellë keqbërjen e gjykatësit Boshku organeve të vetëqeverisjes së gjyqësorit (KLGJ – ILD), ndërsa thekson “me birbon uroj të merret seriozisht drejtësia.”

Gjithashtu, Edi Rama ka ndarë dhe një mesazh për të gjithë përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë, se ata që veprojnë në dëm të interesit publik do të përballen jo vetëm me organet e vetëqeverisjes së gjyqësorit, po edhe në sytë e opinionit publik.

“Kush tallet me interesat e shtetit dhe përqesh ligjin, duke e përdorur pavarësinë e drejtësisë si pavarësi nga vetë drejtësia, e duke dhënë vendime haptazi të paligjshme në dëm të interesit publik, do të përballet me keqbërjen e vet jo vetëm në organet e lartpërmendura të vetëqeverisjes së gjyqësorit, po edhe në sytë e opinionit publik.”