SKANDAL DILPLOMATIK/ U zbulua në miqësi me Jeffrey Epstein – ambasadori britanik në SHBA shkarkohet nga Starmer

Kryeministri britanik Keir Starmer, ka vendosur të shkarkojë ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Shtetet e Bashkuara, Peter Mandelson, pas zbulimeve tronditëse mbi miqësinë e tij të ngushtë me Jeffrey Epstein. Lajmi është konfirmuar nga ministri i Jashtëm Stephen Doughty, në një njoftim drejtuar deputetëve britanikë.

Largimi i Mandelson konsiderohet një goditje serioze për qeverinë britanike, në një moment të ndjeshëm diplomatik, pasi Londër po përgatitet për vizitën zyrtare të presidentit amerikan Donald Trump, i cili gjithasë kritikuar për lidhjet e mëparshme me Epstein.

Keir Starmer kishte mbështetur më herët emërimin e Mandelson si ambasador në Uashington, duke këmbëngulur se ishte verifikuar plotësisht dhe nuk kishte asnjë shkelje.

Megjithatë, presioni publik dhe politik u rrit ndjeshëm pas zbulimeve të reja, që sugjeronin përfshirje të Mandelson në përpjekje për të ndihmuar Epstein të përfitojë lirim të parakohshëm nga burgu, ndërsa ai përballej me akuza për krime seksuale.

Gazeta The Sun publikoi disa email-e komprometuese, të cilat shërbyen si katalizator për vendimin e shkarkimit. Në një prej tyre, datuar qershor 2008, Mandelson i shkruan Epstein: “Të vlerësoj shumë dhe ndihem i pafuqishëm dhe i zemëruar për atë që të ka ndodhur. Kjo nuk do të kishte ndodhur në Britani.”

Më tej, ai e inkurajon Epstein të luftojë për lirimin dhe ta përballojë situatën “me filozofi”, duke shtuar se “gjithçka mund të shndërrohet në një mundësi për të dalë më i fortë”.

Zëdhënësi i Mandelson nuk ka mohuar autenticitetin e email-eve. Vetë Mandelson, në një reagim paraprak, pranoi se mund të dalin në dritë detaje të tjera “shqetësuese”, por këmbënguli se nuk ka qenë kurrë dëshmitar i ndonjë veprimi të paligjshëm nga ana e Epstein.

Marrëdhënia e ngushtë mes Mandelson dhe Epstein doli në pah pas publikimit të ashtuquajturit “libër i ditëlindjes” i Epstein, i cili iu dorëzua anëtarëve të Komisionit Hetimor Demokrat në Kongresin Amerikan. Brenda tij gjendet një shënim me dorë, në të cilin Mandelson e përshkruan Epstein si “mikun e tij më të mirë”.