VENDORET E PJESSHME/ Kush janë 6 bashkitë që do të shkojnë në zgjedhje të parakohshme – PS lëviz e para

Tirana, Vlora, Tepelena, Berati, Mati dhe Cerriku janë gjashtë bashkitë në vend ku pritet të mbahen zgjedhje të parakohshme.

Gara më e fortë pritet të jetë ajo për Bashkinë e Tiranës, si njësia më e madhe vendore në vend.

Kryeministri Edi Rama propozoi sot publikisht Ogerta Manastirliun si kandidaten e Partisë Socialiste, ndërsa opozita nuk ka shpallur ende emrin e saj.

Me vendimin në pritje të Këshillit Bashkiak të Tiranës për të shkarkuar kryetarin në detyrë, Erion Veliaj, dhe nëse ky i fundit nuk ankimon vendimin në Gjykatën Kushtetuese, presidenti Bajram Begaj do të duhet të dekretojë datën e zgjedhjeve.

Në varësi të vendimmarrjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës, Presidenti i Republikës do të shpallë datën e zgjedhjeve të pjesshme vendore.

Ligji parashikon si afat detyrues zhvillimin e tyre brenda 45 ditëve nga momenti i njoftimit.

Në të gjashtë bashkitë ku do të mbahen zgjedhjet, Partia Socialiste futet në garë si fituese e mëparshme pasi ato janë bastione të PS-së, të udhëhequra prej vitesh nga socialistët.