SHORTI/ SPAK mbylli hetimet për çiftin Veliaj-Xoxa dhe 28 të pandehurit e tjerë, caktohet gjyqtarja e seancës paraprake 

Në GJKKO është hedhur shorti për caktimin e gjyqtaren e seancës paraprake për dosjen në ngarkim të kryebashkiakut Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe 28 të pandehurve të tjerë, persona publik apo dhe subjekte.

Etleva Deda do të jetë gjyqtarja e seancës paraprake, e cila do të vendosë nëse dosja e mbyllur nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), do të vendosë nëse do të kalojë për gjykim apo jo.

Kryebashkiaku Erion Veliaj akuzohet për 13 vepra penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, lidhur me 9 subjekte, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim më shumë se një herë, “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, më shumë se një herë, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Ajola Xoxa akuzohet për konsumimin e 12 veprave penale; “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim lidhur me 9 subjekte, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim më shumë se një herë, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar e provuar se të pandehurit Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse (përmendur më sipër), të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, se i pandehuri Erion Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e përmendura më sipër, shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar nga bashkëshortja e tij, e pandehura Ajola Xoxa, si edhe individë të afërt me të.