DOREHEQJA/ Kryebashkiaku i Vlorës Ermal Dredha njofton në fb largimin nga detyra: “Më detyruan rrethanat politike”….

Ermal Dredha ka reaguar publikisht pas dorëheqjes si kryetar i Bashkisë së Vlorës. Dredha ka publikuar letrën drejtuar kryeministrit Rama ku shkruan se ishte momenti që për Vlorën të hapej një rrugë e re me energji dhe ideja të reja në të mirë të vendit.

Ndër të tjera ai shkruan se referuar rrethanave politike, aktuale apo dhe personale, dorëheqja ishte vendimi më i drejtë, ndërsa arsyeton se do t’i përgjigjet komunitetit të tij dhe pa qenë në detyrë.

Reagimi i Ermal Dredhës:

Të nderuar qytetarë të Vlorës,

Me mirënjohje dhe përulësi, për gjithçka ndamë bashkë përgjatë këtij rrugëtimi, bashkë me falenderimet e pafundme për çdo mbështetje, po ndaj me ju letrën time të dorëheqjes!

Shpresoj në mirëkuptimin tuaj, me bindjen që Vlora ka plotë mundësi për kontribute të vyera! Si djalë i këtij qyteti kaq të dashur, do të shërbej në çdo formë, njësoj siç kam bërë çdo ditë të karrierës sime diplomatike sepse e vetmja gjë që mbetet e pandryshuar është që Vlora do të jetë gjithnjë e para në zemrën time!

I nderuar z. Kryeministër,

Sot, me përgjegjësinë më të lartë morale dhe institucionale, kam vendosur të paraqes dorëheqjen time nga detyra si Kryetar i Bashkisë së Vlorës.

Ky është një nga ato momente ku fjala nuk del lehtë, jo sepse mungon bindja, por sepse pesha e asaj që dua të them është e madhe dhe shumë e ndjeshme për mua si njeri, si shërbyes publik dhe si bir i këtij komuniteti që e dua me gjithë zemër.

Pavarësisht sfidave dhe vështirësive që janë shfaqur gjatë rrugës, kam besuar gjithmonë se transparenca dhe puna e ndershme janë baza mbi të cilat ndërtohet një shërbim i mirëfilltë ndaj komunitetit.

Kam jetuar çdo ditë të këtij detyrimi me përkushtim të plotë dhe zell. Kam bërë më të mirën që kam ditur e mundur, ndoshta jo gjithmonë mjaftueshëm, por gjithmonë me ndershmëri. Kam qenë pranë njerëzve në ditë të mira dhe në ditë të vështira, dhe i kam ndjerë hallet dhe shpresat e tyre si të ishin familja ime.

Megjithatë, besoj se në një moment të caktuar është e rëndësishme të dish të largohesh me dinjitet, për t’i hapur rrugë energjive dhe ideve të reja.

Dorëheqja ime vjen si një akt reflektimi dhe përgjegjësie. Rrethanat aktuale, familjare dhe personale, apo dhe ato politike e administrative, më shtyjnë të besoj se dorëheqja ime është veprimi më i drejtë në këtë moment. Ky vendim nuk nënkupton largim nga përgjegjësia publike, por është një akt i vetëdijshëm për të krijuar hapësirë për ide dhe ritme të reja zhvillimi për bashkinë tonë.

Z. Kryeministër,

Ju falënderoj për bashkëpunimin institucional! Ky vendim nuk ndryshon as respektin dhe as përgjegjësinë që ndjej ndaj vendit tim dhe ndaj qytetarëve tanë.

Ju falënderoj për çdo mbështetje që më keni dhënë dhe për çdo shpresë që kemi ndarë së bashku. Unë mbetem i përkushtuar ndaj komunitetit tim dhe do të vazhdoj të kontribuoj në forma të tjera për të mirën e përbashkët.

Me respekt të thellë,

Ermal Dredha

Lajmi për dorëheqjen e Ermal Dredhës u bë publik që prej mbrëmjes së djeshme. Ermal Dredha ka mbajtur postin e drejtuesit të Vlorës që prej korrikut 2023.

Vlora së fundmi ka qenë “target” i kryeministrit Edi Rama lidhur me ndërtimet masive pa leje në qytet dhe bllokimin e hapësirave publike. Qeveria gjatë verës në bazë të një aksioni kombëtar të ushtruar nga veriu në jug me qëllim reformimin e institucioneve vendore, solli shkarkimin nga detyra të të gjithë drejtorëve të kësaj bashkie dhe jo vetëm.

Ndërkohë një përplasje është regjistruar pak kohë më parë mes Dredhës dhe kryeministrit Rama gjatë festës së 34-vjetorit të Partisë Socialiste. Shkak për këtë përplasje u bë keqmenaxhimi i situaës së zjarreve në qytetin bregdetar si dhe për fushën e mbetjeve urbane në Vlorë që shkaktoi një ndotje të madhe dhe shqetësim tek banorët.