Shqipëria ka regjistruar një numër të konsiderueshëm kthimesh të shtetasve të saj nga vendet e Bashkimit Evropian dhe vendet fqinje, përmes operacioneve të riatdhesimit.
Sipas të dhënave nga Plani Kombëtar i Migracionit, në vitin 2023, numri i shtetasve shqiptarë të kthyer në Shqipëri ishte 8,220 persona. Ky numër pësoi rënie 4% në vitin 2024, ose 7901 të kthyer.
Kjo tendencë në ulje mund të lidhet me ndryshimet në politikat migratore të vendeve pritëse, përmirësimin e kontrolleve kufitare ose edhe me reduktimin e flukseve të migracionit nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së dhe zonës Schengen.
Një aspekt i rëndësishëm i këtyre kthimeve është gjinia e personave të kthyer. Nga 7,901 shtetas të kthyer në vitin 2024, 7,521 ishin meshkuj, ndërsa vetëm 380 femra. Pra, përqindja e meshkujve është rreth 95% e totalit.
Sipas të dhënave të EUROSTAT-it, në vitin 2023 janë regjistruar 7,015 aplikime për azil nga shtetas shqiptarë në vendet e BE-së.
Ky numër paraqet një rënie të ndjeshme në krahasim me vitin 2022, kur ishin regjistruar 10,745 aplikime të para për azil nga shqiptarët, që është një ulje prej rreth 35%.
Pra, nga viti i kaluar verehet rënie të dukshme të aplikimeve për azil nga shqiptarët në vendet e BE-së, duke treguar për një ndryshim gradual në dinamikën migratore.









