SKANDAL/ The Guardian zbulon dokumentet: Boris Johnson ka lobuar miliona dollarë në mënyrë fshehtë në Emiratet e Bashkuara Arabe për interesa personale

Në fillim të vitit 2024, një lobist i industrisë së cigareve elektronike, një ish-kampion i fushatës “Vote Leave” për largimin nga BE dhe një bankier nga Vjena, u përpoqën të bindnin sundimtarët e një emirati të pasur me naftë në Gjirin Persik, që t’u jepnin një miliard dollarë. Sipas dokumenteve të publikuara, për të realizuar këtë plan, ata kishin nevojë për një figurë të njohur që kishte ndikim tek sheikët. Kështu, ata punësuan Boris Johnson.

Ish-kryeministri britanik kishte lënë postin më pak se dy vite më parë dhe ishte larguar nga parlamenti. Megjithatë, ai kishte ende lidhje të forta të krijuara gjatë kohës në pushtet. Dokumentet e zbuluara, të njohura si “Dosjet Boris” dhe të siguruara nga The Guardian, tregojnë përpjekjet e tij për t’i shfrytëzuar këto lidhje për përfitime personale.

Këto dokumente ngrejnë pyetje serioze mbi mundësinë që Johnson ka shkelur rregullat etike, duke lobuar pranë një zyrtari të lartë të huaj për të “siguruar mbështetjen” për një sipërmarrje biznesi që mund t’i sillte miliona.

Për të siguruar financimin e nevojshëm, një kompani pak e njohur e quajtur Bia Advisory, që merrej me “zgjidhje për financa të gjelbra”, punësoi ish-kryeministrin si “këshilltar kryesor”. Ideja ishte të shfrytëzohej karizma dhe lidhjet e tij, të ndërtuara gjatë viteve si kryebashkiak i Londrës, ministër i Jashtëm dhe më pas kryeministër, për të hapur dyer në Lindjen e Mesme.

Pas organizimit të samitit për klimën në vitin 2023, sundimtarët e Emirateve të Bashkuara Arabe kanë qenë të etur të duken ekologjikë, duke kanalizuar një pjesë të të ardhurave të tyre nga nafta në projekte të qëndrueshme. Abu Dhabi, emirati më i pasur, administron një fond investimi prej 300 miliardë dollarësh, Mubadala, që ishte “çmimi i madh” që synonte kompania e re. Johnson e njihte mirë drejtuesin e fondit që nga koha e tij në Downing Street.

Një nga bashkëpunëtoret më të afërta të Johnson, Shelley Williams-Walker, e cila kishte ndihmuar në drejtimin e operacioneve në Downing Street dhe më pas ishte pjesë e zyrës së tij private, u përfshi drejtpërdrejt. Si çdo ish-kryeministër britanik, Johnson ka të drejtë të marrë deri në 115,000 £ në vit nga taksapaguesit për detyra publike. Por roli i zyrës së tij në aktivitetet komerciale ka ngritur pikëpyetje nëse këto fonde janë keqpërdorur.

Johnson e mohoi gjithçka, duke thënë: “Kjo histori është e pavërtetë. PDCA është përdorur plotësisht në përputhje me rregullat. The Guardian duhet të ndryshojë emrin në Pravda”.

Ai nuk iu përgjigj pyetjeve për Bia Advisory dhe aktivitetet e tij në Abu Dhabi.

Pas zbulimeve të kësaj jave nga gazeta Guardian se Johnson mund të ketë shkelur rregullat e etikës në lidhje me marrëdhëniet e tij me Arabinë Saudite dhe Venezuelën , politikanë të lartë të Partisë Laburiste dhe Liberal Demokrate kanë bërë thirrje për një hetim mbi përdorimin e tij të fondeve publike.

Ish-ministrave u ndalohet të lobojnë me kontaktet e qeverive të huaja që kanë fituar gjatë detyrës “me qëllim sigurimin e biznesit”. Por në prill të vitit 2024, ndërsa ndihmësit e tij po merreshin me pyetje shqetësuese nga një organ mbikëqyrës i etikës në lidhje me rolin e tij, Johnson hipi në një fluturim të Etihad Airways për në Abu Dhabi.

Pjesëmarrje personale

Sipas dokumenteve të siguruara nga organizata për transparencë Distributed Denial of Secrets (DDoS) dhe të shqyrtuara nga The Guardian, Johnson u ofrua për të marrë 24% të aksioneve në kompaninë Bia Advisory, e cila pritej të regjistrohej në juridiksionin e fshehtë të Guernsey.

Williams-Walker do të merrte 20%, ndërsa pjesa tjetër do të ndahej mes dy themeluesve: Shem Baldeosingh, një konsulent lobimi në industrinë e cigareve elektronike, dhe David Roach, një ish-kandidat konservator dhe drejtues i fushatës pro-Brexit në Londër gjatë referendumit të vitit 2016.

Kompania nuk kishte përvojë të konsiderueshme në menaxhimin e fondeve të mëdha, por me Johnson, kërkesa ishte ambicioze, 1 miliard euro për menaxhim plus një grant prej 10 milionë euro për shpenzime fillestare, me premtimin për kthim 2.5%, që mund të rezultonte në fitime milionëshe.

Në kohën e mandatit të tij, Johnson kishte pritur disa herë Khaldoon al-Mubarak, drejtorin ekzekutiv të Mubadala (i njohur edhe si drejtues i Manchester City në Britani), përfshirë një darkë luksoze me investitorë globalë në vitin 2021.

Në vitin 2024, Johnson u ftua në Abu Dhabi për të mbajtur një fjalim në një konferencë “të gjelbër” të sponsorizuar nga një kompani shtetërore energjetike pjesërisht në pronësi të Mubadala. Sipas dokumenteve, ai u pagua 350,000 dollarë për këtë fjalim, në të cilin iu kërkua të lavdëronte “udhëheqjen mjedisore” të zyrtarëve lokalë, gjë që ai duket se e bëri.

Pas fjalimit, Johnson vizitoi zyrat qendrore të Mubadala ku, sipas dokumenteve, prezantoi projektin e Bia Advisory. Dy muaj më vonë, u përgatit një draft letre ku ai shpjegonte se po vepronte si “këshilltar kryesor” i kompanisë dhe kërkonte të diskutonte më tej mundësinë e investimit.

Rregullat për ish-ministrat ndalojnë lobimin tek kontaktet e fituara gjatë kohës në detyrë për qëllime fitimprurëse. Megjithatë, në prill 2024, ndërsa zyrtarët po hetonin rolin e tij, Johnson udhëtoi për në Abu Dhabi me një fluturim të kompanisë Etihad.

Letra për Mubarak nuk u dërgua menjëherë pasi Komiteti Këshillues për Emërimet në Biznes (Acoba), organi që vlerëson aktivitetet pas largimit nga detyra të ish-zyrtarëve të lartë, ende nuk kishte dhënë miratimin. Për shkak të përfshirjes së kontakteve të huaja, çështja iu referua Ministrit të Jashtëm, David Cameron, paraardhësi dhe rivali i vjetër i Johnson, i cili vetë ishte përfshirë në një skandal lobimi më herët, në çështjen Greensill.

Në qershor 2024, me letrën ende pezull, Williams-Walker iu ankua Acoba-s për vonesën dhe tregoi se Johnson kishte diskutuar personalisht me kryetarin e komitetit, Eric Pickles. “Jemi pak të hutuar nga vonesa”, shkroi ajo.

Ndërkohë, Williams-Walker u tha themeluesve të Bia-s se ajo e kishte rishkruar letrën “për ta bërë atë më autentikisht Boris”.

Nuk është e qartë se çfarë ndodhi me projektin Bia Advisory. The Guardian pyeti Johnson se sa kishte fituar nga ky rol, por ai nuk u përgjigj. As Johnson, as bashkëpunëtorët e tij, as përfaqësues të Mubadala nuk dhanë ndonjë koment për këtë histori./The Guardian