NEGOCITAT/ Irani vendos të rifillojë bisedimet për programin bërthamor me SHBA

Qeveria iraniane ka vendosur të rifillojë bisedimet me Shtetet e Bashkuara të  Amerikës  për programin e saj bërthamor për herë të parë që nga lufta me Izraelin, sipas një raporti të publikuar sot. Vendimi u mor dje, raportoi gazeta “Farikhtegan”.  Deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga qeveria.

Sipas raportit, në fillim të negociatave do të paraqitet një kërkesë për të shtyrë aktivizimin e të ashtuquajturit mekanizëm “snapback”, i nisur nga vendet evropiane për të rivendosur sanksionet e OKB-së ndaj Iranit për shkak të programit të tij bërthamor.

Izraeli sulmoi Iranin në qershor për të parandaluar vendin të ndërtonte një bombë bërthamore. Një javë më vonë, SHBA-ja iu bashkua luftës dhe bombardoi objektet bërthamore të Iranit. Prej vitesh perëndimi e ka akuzuar Iranin se synon armë bërthamore, gjë që Teherani e mohon.

Mekanizmi “snapback” është një dispozitë ligjore e krijuar për të rivendosur automatikisht sanksionet e OKB-së ndaj Iranit nëse ai nuk i përmbahet angazhimeve të tij sipas marrëveshjes bërthamore të Vjenës të vitit 2015.

Marrëveshja, e nënshkruar gjithashtu nga SHBA, Kina dhe Rusia, synonte kufizimin e programit bërthamor të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve.