Presidenti amerikan Donald Trump planifikon të riemërtojë Departamentin e Mbrojtjes në “Departamenti i Luftës”, sipas raporteve mediatike.
Presidenti republikan planifikon të firmosë sot një urdhër ekzekutiv për këtë çështje konfirmoi Shtëpia e Bardhë. Ky hap është përgatitur prej kohësh, dhe Trump ka shprehur publikisht idenë më parë.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i tha transmetuesit “Fox News “se qeveria synon të ringjallë një “etos luftëtarësh” dhe të dërgojë një sinjal frenues ndaj botës së jashtme.
Emri “Departamenti i Luftës” nuk është i ri. Sipas” New York Times”, ky emër ishte përdorur deri pak pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Departamenti i Luftës u krijua fillimisht nga presidenti George Washington në vitin 1789.
CNN raportoi se hera e fundit që emri i departamentit u ndryshua kërkoi një akt nga Kongresi amerikan. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse emri do të hynte në fuqi menjëherë pas firmosjes së urdhrit ekzekutiv nga Trump.
Presidenti amerikan ka punuar për të transmetuar imazhin e një paqebërësi dhe nuk e ka fshehur dëshirën për të fituar Çmimin Nobel për Paqe. Në gusht ai pretendoi se “zgjidhi gjashtë luftëra në gjashtë muajt e fundit”.
Administrata e presidenitt Trump ka ndjekur një politikë të quajtur “paqe përmes fuqisë”, e cila u përmend, për shembull, kur SHBA-ja goditi objektet bërthamore iraniane në qershor, në mbështetje të aleatit të ngushtë, Izraelit.









