PROPOZIMI/ Trump gati urdhrin ekzekutiv të riemërtojë Pentagonin si “Departamenti i Luftës”

Presidenti amerikan Donald Trump planifikon të riemërtojë Departamentin e Mbrojtjes në “Departamenti i Luftës”, sipas raporteve mediatike.

Presidenti republikan planifikon të firmosë sot një urdhër ekzekutiv për këtë çështje konfirmoi Shtëpia e Bardhë. Ky hap është përgatitur prej kohësh, dhe Trump ka shprehur publikisht idenë më parë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i tha transmetuesit “Fox News “se qeveria synon të ringjallë një “etos luftëtarësh” dhe të dërgojë një sinjal frenues ndaj botës së jashtme.

Emri “Departamenti i Luftës” nuk është i ri.  Sipas” New York Times”, ky emër ishte përdorur deri pak pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Departamenti i Luftës u krijua fillimisht nga presidenti George Washington në vitin 1789.

CNN raportoi se hera e fundit që emri i departamentit u ndryshua kërkoi një akt nga Kongresi amerikan. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse emri do të hynte në fuqi menjëherë pas firmosjes së urdhrit ekzekutiv nga Trump.

Presidenti amerikan ka punuar për të transmetuar imazhin e një paqebërësi dhe nuk e ka fshehur dëshirën për të fituar Çmimin Nobel për Paqe. Në gusht ai pretendoi se “zgjidhi gjashtë luftëra në gjashtë muajt e fundit”.

Administrata e presidenitt Trump ka ndjekur një politikë të quajtur “paqe përmes fuqisë”, e cila u përmend, për shembull, kur SHBA-ja  goditi objektet bërthamore iraniane në qershor, në mbështetje të aleatit të ngushtë, Izraelit.