DEKLARATA E FORTE/ Surprizon Putin: Rusia nuk ka qënë kurrë kundër anëtarësimit të Ukrainës në BE – futja në NATO e papranueshme.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë një deklaratë gjatë takimit me kryeministrin sllovak Robert Fico në Kinë, ku tha se Moska nuk e ka kundërshtuar kurrë anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian.

“Sa i përket anëtarësimit të Ukrainës në BE, ne kurrë nuk e kemi kundërshtuar”, tha Putin, duke shtuar se për NATO-n qëndrimi i Rusisë është krejt tjetër. “Kjo është çështje tjetër. Qëndrimi ynë për këtë është i njohur: ne e konsiderojmë të papranueshme”, theksoi ai.

Deklaratat e liderit të Kremlinit vijnë në një kohë kur tensionet me Perëndimin vijojnë të jenë të larta, ndërsa lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e katërt, shkruan Reuters.

Putin pretendoi se ndërhyrja në Ukrainë erdhi si pasojë e, sipas tij, përpjekjeve të Perëndimit për të “përvetësuar gjithë hapësirën post-sovjetike” përmes zgjerimit të NATO-s.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump, pas takimit që zhvilloi me Putinin muajin e kaluar në Alaskë, u shpreh se “Putini është i lodhur nga lufta”, por shtoi se “mbetet të shihet nëse do të arrihet paqja”.

Nga ana tjetër, udhëheqësit e Ukrainës dhe vendeve të Evropës Perëndimore janë skeptikë ndaj sinqeritetit të Moskës. Ata paralajmërojnë se një fitore e Rusisë në Ukrainë mund të çojë në kërcënim të drejtpërdrejtë për NATO-n dhe vendet evropiane.

Putin i hodhi poshtë këto paralajmërime, duke i quajtur “histeri” nga njerëz të papërgjegjshëm që, sipas tij, po paraqesin Rusinë si një kërcënim global.