BASHKEPUNIMI/ Putini takon Vuçiçin në Pekin: Energjia në qendër të bashkëpunimit Rusi–Serbi

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, u takua në Pekin me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në kuadër të ceremonive përkujtimore të 80-vjetorit të fitores së popullit kinez ndaj Japonisë dhe përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Sipas kanalit televiziv serb RTS, energjia ishte një nga temat kryesore të diskutimit mes dy liderëve.

Presidenti Vuçiç theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në këtë sektor, duke nënvizuar se ndërtimi i një tubacioni të naftës në bashkëpunim me Hungarinë do t’i mundësojë Serbisë zgjerimin e bashkëpunimit energjetik me Rusinë.

“Shpresoj që jo vetëm të ruajmë, por edhe të zgjerojmë bashkëpunimin tonë, veçanërisht në sektorin e energjisë dhe furnizimeve me gaz”, u shpreh Vuçiç në një deklaratë për mediat serbe.

Ai shtoi se Serbia i mirëpret të gjitha kompanitë ruse që dëshirojnë të investojnë në projekte infrastrukturore, duke përmendur ndër të tjera Hekurudhat Ruse dhe Rosatom.

Gjatë takimit, Presidenti Putin përshëndeti nivelin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe përmendi zhvillimet pozitive në tregtinë dypalëshe, pavarësisht një rënieje të përkohshme vitin e kaluar.

“Partneriteti ynë strategjik është i dobishëm për të dyja palët dhe jep rezultate pozitive. Departamentet tona bashkëpunojnë rregullisht dhe me rezultate konkrete”, tha Presidenti rus.

Putin gjithashtu vlerësoi qëndrimin e jashtëm të pavarur të Serbisë dhe falënderoi Vuçiçin për vazhdimin e dialogut për çështje rajonale dhe ndërkombëtare.

Nga ana e tij, Vuçiç falënderoi Putinin për mbështetjen ndaj integritetit territorial të Serbisë dhe theksoi se vendi i tij ka përballuar presione të mëdha që nga nisja e luftës në Ukrainë, por ka ruajtur një qëndrim të qartë.

“Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse. Do të vazhdojmë të ruajmë neutralitetin tonë ushtarak”, u shpreh Vuçiç, duke shtuar se është i hapur ndaj këshillave dhe propozimeve për forcimin e marrëdhënieve në të ardhmen.