Sipas informacionit të përditësuar nga Ministria e Mjedisit, zjarri i shpërthyer pasditen e datës 11 Gusht në drejtim të Parkut Natyror të Gërmenjit, në Leskovik,, mbetet ende aktiv dhe me risk për t’u përhapur më tej. Era e favorizon përhapjen e tij, prandaj forcat janë duke punuar për të krijuar një perimetër mbrojtës.
Flitet për rreth 40 forca që janë në terren dhe janë angazhuar në operacione për të mbajtur zjarri nën kontroll, pa lejuar që të depërtojë në kurorën e zonës së mbrojtur të parkut. Prania e minave në këtë zonë kufitare e bën situatën shumë të rrezikshme.
Dëgjohen shpërthime të herëpashershme nga minat, ndaj forcat e zjarrfikësve dhe të tjera janë të kufizuara në afërsinë me perimetrin e zjarrit. Një grup xhenjos, i dërguar nga Tirana, ka mbërritur mbrëmë dhe është nisur drejt vendngjarjes për të kryer demontimin e minave të konstatuara në territori.
Përveç veprimeve të brendshme, autoritetet shqiptare janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet greke për të koordinuar veprimet dhe për të minimizuar rrezikun e mëtejshëm në këtë zonë të ndjeshme natyrore.









