ÇESHTJA “BANKERS”/ Apeli shtyn për nesër vendimin për masat e sigurisë 

Gjykata e Apelit në Tiranë ka shtyrë për ditën e nesërme vendimin për masat e sigurisë ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të arrestuar për evazionin fiskal të kompanisë së naftës “Bankers Petroleum”. 

Vendimi do të shpallet nesër në orën 10:00, avokatët e të dyshuarve sapo kanë përfunduar mbrojten dhe parashtrimet e tyre mbi ankimin për masat e sigurisë qe u caktuan nga gjykata e Fierit.

Kujtojmë se prokuroria ka kërkuar arrest me burg për 10 zyrtarët dhe ish-zyrtarët e “Bankers Petroleum”. Ish-drejtori Leonidha Çobo e drejtori aktual i kompanisë Hongping Xiao së bashku me zyrtarë të tjerë të kësaj kompanie, akuzohen për evazion fiskal dhe pastrim parash. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të natyrës së çështjes dhe kërkesës së palëve për ruajtje të konfidencialitetit. 

Përfaqësuesit e ambasadës kineze në Tiranë, që ndodheshin në ambientet e jashtme të Apelit për të ndjekur nga afër procesin, nuk janë lejuar të marrin pjesë në seancë. Arsyeja për këtë është ndjeshmëria e lartë e çështjes. 10 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të kompanisë mes tyre dhe drejtori aktual i kompanisë Hongping Xiao, kërkuan ndryshimin e masës së “arrestit me burg”. 

Drejtuesi i Bankers Hongping Xiao dhe ish-drejtori i përgjithshëm, Leonidha Çobo, u arrestuan nën akuzat e mashtrimit, pastrimit të parave dhe abuzimit me detyrën ndërsa katër persona u shpallën në kërkim. 

Sipas prokurorisë, drejtuesit e Bankers akuzohen se kanë fryrë shpenzimet e kompanisë përmes transferimit të parave në palë të lidhura apo me kontrata të dyshimta, gjë që ka sjellë nxjerrjen e kompanisë më humbje dhe mospagesën e tatimit mbi fitimin në buxhetin e shtetit. Sipas ligjit aktual, kompanitë e naftës mundet të arrijnë marrëveshje me autoritetet shqiptare me qëllim që të nxjerrin naftë në operacione private, por në këtë rast, tatimi mbi fitimin është në masën 50 për qind.