Një vatër zjarri e përmasave të mëdha përfshiu këtë të mërkurë fshatin Kakavijë në bashkinë Dropull, duke shkaktuar panik dhe dëme materiale. Flakët shpërthyen fillimisht pranë kishës së fshatit dhe u përhapën me shpejtësi në një sipërfaqe të gjerë, duke e kthyer situatën në problematike.
Në vendngjarje ndërhynë menjëherë forcat zjarrfikëse dhe efektivë të policisë kufitare të Kakavijës. Për shkak të terrenit të vështirë dhe përmasave të zjarrit, në operacion u përfshinë edhe helikopterë të ardhur nga Greqia.
Flakët arritën të përfshijnë edhe një banesë e cila, sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, rezulton të jetë e braktisur prej vitesh pasi pronarët janë emigrantë.
Pas orësh përpjekjesh, zjarri është vendosur nën kontroll dhe forcat e emergjencës vijojnë punën në terren për izolimin dhe shuarjen e plotë të tij.









