VENDIMI/ Falsifikonin etiketat e produkteve ushqimore të skaduara e i rihidhnin sërish në treg – lihen të lirë 2 të arrestuarit

Sfumohet aksioni i nisur nga kryeministri për sigurinë ushqimore. Inspektorët e tij kërkojnë dokumente për rigonin, por ata që helmojnë qytetarët nuk mbajnë asnjë përgjegjësi.

Gjykata e Tiranës ka liruar nga qelia dy vëllezërit Agim dhe Florenc Domi administrator dhe magazinier të një ambienti që u gjetën produkte të skaduara në Vorë. Me kërkesë edhe te prokurorisë dy vëllezërit do të hetohen në masën e sigurisë arrest në shtëpi.

Ata kanë ngritur pretendimin në gjykatë se mallrat e gjetura nuk i kishin për hedhjen në treg, por për asgjësim.

Operacioni policor i koduar “Siguria Ushqimore”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DPPSh, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë nr. 7, zbuloi në Vorë një magazinë ku falsifikoheshin etiketat e produkteve ushqimore të skaduara, të cilat më pas hidheshin sërish në treg.

Gjatë kontrollit u sekuestruan në cilësinë e prova materiale 716 koli dhe dhjetra kilogramë me mallra ushqimorë të përpunuara që kishin afatin e skadencës në janar dhe shkurt 2025 dhe afati i skadencës ishte falsifikuar me qëllim rihedhjen në treg për shitje.

Nga hetimet rezultoi se subjekti me aktivitet import-eksport dhe tregtim të produkteve industriale dhe ushqimore, grumbullonte produkte të skaduara nga tregje të ndryshme në Tiranë, Durrës e Elbasan, u falsifikonte datat e skadencës dhe i hidhte sërish në treg, pa dokumentacion tatimor.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Punësim i paligjshëm” dhe “Importi, prodhimi, shitja, ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.