Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se deklaratat e bëra nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, pasi Kosova i shqiptoi një muaj paraburgim një zyrtari qeveritar serb, janë kërcënuese që nuk duhet neglizhuar, pasi sipas tij rrezikojnë sigurinë e rajonit.
“Deklaratat e presidentit Vuçiç të bëra më 20 korrik janë kërcënuese, destabilizuese dhe krejtësisht të papranueshme. Kur një president dhe njëkohësisht komandant suprem i ushtrisë së një shteti lëshon kërcënime publike, me tone nxitëse të konfliktit, kjo nuk mund të konsiderohet më si qëndrim individual, por politikë shtetërore”, tha Kurti gjatë një konference për media.
Vuçiç një ditë më parë e paralajmëroi Kosovën për “pasoja të paparashikueshme”, pasi Gjykata Themelore në Prishtinë i caktoi një muaj paraburgim Igor Popoviçit, ndihmësdrejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe.
“Arrestimi i fundit i Igor Popoviçit tregon se Albin Kurti e ka humbur arsyen dhe se dëshiron të shkaktojë incidente dhe konflikte në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi ai.
Popoviç dyshohet për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.
Kurti i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që “të reagojë qartë dhe me vendosmëri ndaj kërcënimeve të Vuçiçit”, që tha se mund të destabilizojnë të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ai po ashtu u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimin përmes Serbisë, pasi sipas Kurtit, “ka indikacione” për provokime dhe ndalime arbitrare të qytetarëve të Kosovës.
“Nuk jemi të frikësuar nga retorika e Vuçiçit por jemi të vendosur për ta mbrojtur ligjin rendin dhe demokracinë tonë”, tha Kurti.









