PREMTIMI/ U arratisën nga Afganistani në vitin 2021, pas marrjes së pushtetit nga Talibanët – Trump u angazhua të shpëtojë refugjatët e ndaluar në Emiratet Arabe

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të dielën (20 korrik) se do të ndihmojë afganët që ndodhen të ndaluar prej vitesh në Emiratet e Bashkuara Arabe, pasi u arratisën nga Afganistani në vitin 2021, pas marrjes së pushtetit nga Talibanët. Trump, i cili ka premtuar të marrë masa të ashpra kundër imigracionit të paligjshëm, pezulloi programin për refugjatët kur mori detyrën në janar. Në prill, administrata e tij gjithashtu i dha fund programit që mbronte mijëra afganë në Shtetet e Bashkuara nga deportimi.

“Do të përpiqem t’i shpëtoj ata, duke filluar që tani”, tha presidenti republikan në një postim në Truth Social.

Sipas faqes së internetit Just the News, zyrtarët e Emirateve të Bashkuara Arabe po përgatiteshin t’ua dorëzonin disa refugjatë afganë talebanëve. Gjithashtu Departamenti i Shtetit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Emiratet e Bashkuara Arabe janë një aleat i ngushtë i sigurisë i SHBA-së dhe ranë dakord në vitin 2021 të strehojnë përkohësisht disa mijëra afganë që ikën nga Kabuli kur talebanët përmbysën qeverinë e mbështetur nga SHBA-ja në fazat e fundit të tërheqjes së SHBA-së nga vendi.

Gati 200,000 afganë u transferuan në SHBA nga administrata e ish-Presidentit Joe Biden pas tërheqjes kaotike të forcave amerikane nga Kabuli. Kanadaja ra dakord në vitin 2022 të marrë rreth 1,000 afganë që ende mbahen në Emiratet e Bashkuara Arabe me kërkesë të SHBA-së. 

Disa vende i kanë detyruar refugjatët afganë të kthehen në Afganistan. Sipas shifrave të OKB-së, gati 2 milionë njerëz janë kthyer nga Irani dhe Pakistani në shtatë muajt e fundit. Të premten, Gjermania deportoi 81 burra afganë. Në SHBA, demokratët i kërkuan Trumpit të rivendoste programin e mbrojtjes së përkohshme për afganët, duke theksuar se gratë dhe fëmijët në veçanti mund të pësojnë dëme të mëdha nën sundimin e talebanëve.