Policia në Brazil bastisi shtëpinë dhe selinë politike të ish-presidentit Jair Bolsonaros herët të premten, duke kontrolluar pronat, duke i urdhëruar të mbante një byzylyk elektronik në kyçin e këmbës, duke e ndaluar të fliste me zyrtarë të huaj ose t’u afrohej ambasadave dhe duke i ndaluar atij të përdorte mediat sociale.
Sipas mediave të huaja, kufizimet, të urdhëruara nga Gjykata Supreme e Brazilit, u motivuan nga shqetësimet se Bolsonaro do të largohej nga vendi, mes gjyqit të tij për një komplot të dyshuar për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2022 për të mbetur në pushtet. Gjithashtu bëhet me dije se Bolsonaro ka mohuar të ketë bërë ndonjë shkelje.
Policia federale akuzoi gjithashtu Bolsonaron dhe djalin e tij, Eduardon, për komplot me qeverinë amerikane për të vendosur sanksione kundër zyrtarëve brazilianë, sipas dokumenteve të gjykatës. Ky veprim, tha gjykata, “do t’i sillte dobi drejtpërdrejt babait dhe financuesit të tij, Jair Messias Bolsonaro”.
Po ashtu Policia federale sekuestroi gjithashtu një sasi të papërcaktuar dollarësh amerikanë. Duke folur jashtë stacionit të policisë të premten, Bolsonaro e quajti byzylykun në kyçin e këmbës “poshtërim të madh” dhe tha se “nuk kishte menduar kurrë të largohej nga Brazili”.
“Dyshimet (për largimin tim nga vendi) janë një ekzagjerim… dreqi ta marrë, unë jam një ish-president i republikës, jam 70 vjeç”, tha ai. Bolsonaro shtoi se policia sekuestroi “rreth 14,000 dollarë amerikanë” dhe pretendoi se paratë ishin për përdorim personal, duke shtuar se ai kishte faturat për ta vërtetuar këtë.









