TREGUESIT FINANCIARE/ Krahasuar me 2024, buxheti reflekton një rritje rreth 7% – tatimet mbushin arkën e shtetit me miliarda euro

Të ardhurat në buxhetin e shtetit rezultojnë të jenë rritur me 7% në pjesën e parë të vitit.

Sipas bilancit, nga janari deri në qershor janë arkëtuar afro 3.8 mld euro.

Arka e shtetit ka mbledhur 366 mld lekë, ose rreth 3.77 mld euro në 6-mujorin e parë të vitit.

Krahasuar me vitin e kaluar, buxheti ka mbledhur 230 mln euro më shumë, që reflekton një rritje rreth 7%.

Të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat arrijnë në 2.5 miliardë euro, ndërsa të ardhurat tatimore nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare, për këtë periudhë u realizuan në vlerën 1.3 mld euro.

Në raportin e treguesve fiskalë, Ministria e Financave shpall se edhe të ardhurat nga tatimi mbi pagat dhe taksat kombëtare janë rritur, të ndikuara nga aksionet dhe administrimi në vjeljen e tyre.

Sa i takon shpenzimeve të përgjithshme publike, për periudhën 6-mujore të vitit 2025, ato arritën në rreth 3.4 mld euro me një realizim në masën 99.8% të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, ky zë ka rezultuar 14% më i lartë.

Niveli i suficitit rezultoi në rreth 340 mln euro dhe, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, niveli i suficitit rezultoi 35% më i ulët.