Disa kabina pushimi të vendosura në mes të Thethit kanë qenë në qendër të vëmendjes së fushatës së kryeministrit Edi Rama për lirimin e hapësirave publike. Përveç përplasjes në distancë që Rama pati me prokuroren e Shkodrës Elsa Gjeli, kuriozitet ngriti edhe emri i pronarit të fshatit turistik.
Sipas burimeve dyshohet se pronari i fshatit turistik është Prek Kodra, i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme AntiKorrupsion (SPAK) më 25 nëntor të vitit 2024 në kuadër të hetimit të një organizate kriminale me shtrirje ndërkombëtare.
Kodra njihet si ‘snajperisti’ nga Shkodra, i cili akuzohet se tentoi t’i bënte atentat kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Plani për eliminimin e kreut të qeverisë së Kosovës u zbulua në një e-mail sekret të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano në shtator 2022.









