VDEKJA MISTERIOZE/ Menaxheri rus i naftës bie nga dritarja e apartamentit

A ishte vetëvrasje apo vrasje? Andrei Badalov, zëvendësdrejtor i kompanisë ruse të naftës Transneft, ka vdekur në Moskë pasi ka rënë nga dritarja.

Trupi i Badalov u gjet në zonën rezidenciale Rublevka, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve Tass, duke cituar burime policore. “Shkaku paraprak i vdekjes konsiderohet vetëvrasje”, njoftuan mediat, referuar autoriteteve.

Badalov ra nga dritarja e apartamentit të tij në katin e 17-të. Kjo u raportua nga “Bild”, duke cituar kanalin Telegram Mash. Sipas raportit, një roje sigurie e gjeti burrin e vdekur.

Që nga viti 2021, ai mbante pozicionin në kompaninë shtetërore të tubacioneve Transneft, ku ishte përgjegjës për dixhitalizimin. Më parë, ai punoi në industrinë e mbrojtjes dhe në një institut që, ndër të tjera, organizoi dixhitalizimin e zgjedhjeve.