Telefoni i Laert Haxhiut, i cili iu gjet në qelitë e burgut të Drenovës pas një kontrolli të befasishëm, është marrë në dorëzim nga SPAK.
Aparati telefonik do i nënshtrohet kontrollit në laboratorin digjital të SPAK, raporton Report Tv.
Në përfundim të skanimit të aparatit telefonik mund të hidhet më shumë dritë lidhur me kontaktet apo porositë që i dënuari me burgim të përjetshëm lidhur me masakrën e Lushnjes, mund të ketë dhënë nga qelia.
Laboratori digjital i SPAK pritet të skanojë gjithçka lidhur me aparatin celular, ndërsa ende nuk dihet se si Haxhiu ka arritur të sigurojë mjetin telefonik në burgun e sigurisë së lartë. Ndaj tij janë ngritur akuzat për grup të strukturuar kriminal, ndërsa për një kohë të gjatë zhvilloi një betejë ligjore, për të mos u ekstraduar nga Greqia, atje ku u arrestua, drejt Shqipërisë.
Skanimi i telefonit mund të hedhë dritë mbi lidhjet e Haxhiut me elementë të tjerë, komunikimet që ai ka pasur, porositë që mund të ketë dhënë, por edhe nëse grupi i tij, vepron ende. Në varësi të asaj që mund të zbulohet, hetuesit mund të çelin një kapitull të ri hetimor lidhur me të riun që akuzohet për vepra të rënda penale, 17 prej të cilave janë rrëfyer nga një prej bashkëpunëtorëve të drejtësisë, Artan Tafani.









