BOTERORI I KLUBEVE/ Musiala bën DJ – Bajerni e nis me muzikë para Flamengos

Gjërat kanë nisur të bëhen serioze në SHBA. Trajneri i Bajernit, Vinsent Kompani, ka nisur përgatitjet për ndeshjen e raundit të 1/8 të finaleve kundër Flamengos, që do të luhet të dielën në orën 22:00 me orën qendrore në Europë.

Pas një dite pushimi, trajneri Kompani dhe e gjithë skuadra filluan përgatitjet për përballjen kundër brazilianëve. Një i ftuar i shquar ndoqi gjithashtu seancën stërvitore në Kompleksin Sportiv “ESPN Wide World” në Orlando. Ish-trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, kërkoi hije në njërën nga tribunat e vogla në fushë ku lojtarët e Mynihut po stërviteshin në diellin 30 gradë.

MUSIALA, NË HUMOR – Lojtari ndërkombëtar gjerman, Jamal Musiala, i cili mund të jetë në formacionin titullar për herë të parë që nga dëmtimi i tij në ndeshjen e parë të raundit eliminator të dielën (ora 22:00), veproi si dixhej. 22-vjeçari e futi xhukebox-in në fushë dhe zgjodhi muzikën për ngrohje. Musiala ka luajtur vetëm një ndeshje deri më tani në Kupën e Botës për Bajernin, ndeshjen e parë në fitoren 10- 0 kundër Okland Sitit. Ai mundi të shënonte tre gola në atë fitore të thellë të bavarezëve. Pikërisht në atë që ishte ndeshja e tij e parë që pas dëmtimit të pësuar dy muaj më parë, Musiala shkëlqeu, por në të njëjtën kohë u dëmtua duke ngritur alarmin në Mynih. Dëmtimi i tij gjithsesi nuk ka qenë problematik dhe ai mendohet të jetë në fushë kundër Flamengos.

VENGER, NJË “TURIST” LUKSI – Sakaq, në seancën e parë stërvitore të Bajernit për ndeshjen kundër Flamengos për 1/8-at e finaleve, bavarezët kanë pasur një vizitor special. Legjenda e trajningut francez, Arsen Venger bëri një vizitë te kampionët gjermanë të enjten, ndërsa ata filluan përgatitjet për fazën eliminatore. Venger, tani drejtor i Zhvillimit Global të Futbollit në FIFA, ndoqi stërvitjen nga tribunat në Kompleksin Sportiv ESPN në jug të Orlandos, dhe e sheh Bajernin në avantazh në ndeshjen e ardhshme kundër klubit tradicional brazilian, Flamengo. “Për mua, Bajerni është favoriti”, tha trajneri i Arsenalit për mediat e klubit.

“Ekipi i Mynihut e nisi turneun fuqishëm, ekipi vendosi një ritëm të mirë dhe më pëlqeu veçanërisht Mikael Olize”. Megjithatë, Venger (75) paralajmëroi gjithashtu për kundërshtarët e Flamengos përpara ndeshjes të së dielës (nga ora 22:00). “Brazilianët, me kulturën e tyre të mirë të futbollit, luajnë shpejt dhe shumë mirë nga mbrojtja. Ata janë të rrezikshëm në sulm. Mendoj se do të jetë një ndeshje e luftuar, por po vë bast për Bajernin”.