Jared Kushner dhe bashkëshortja e tij, Ivanka Trump, së bashku me fëmijët e tyre kanë vizituar Shqipërinë, duke zgjedhur jugun e vendit.
Ata ishin në Shqipëri përpara pjesëmarrjes në dasmën madhështore të Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez, që do të zhvillohet në Venecia.
Sipas mediave, familja Kushner-Trump ndodhet prej dy ditësh në qytetin e Vlorës. Mësohet nga burimet jo zyrtare se ata gjithashtu janë takuar edhe me Kryeministrin Edi Rama, ku kanë vizituar edhe ishullin e Sazanit.
Mendohet se qëllimi i vizitës nuk është vetëm turistik, por edhe për të parë nga afër ishullin e Sazanit, ku ata do të investoin miliardë dollarësh. Ky projekt po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e mediave botërore.
Ndaj edhe vizita në qytetin e Vlorës nuk është rastësore, pasi ishulli i Sazanit është vetëm pak minuta larg tokës.
Lajmi për mbërritjen e çiftit në Vlorë është bërë publike nga shefi i kuzhinës së një prej restoranteve, i cili publikoi në rrjetet sociale foto me çiftin.
“Një perëndim dielli i artë dhe një mbrëmje e paharrueshme në @gjurmarestaurant. Ishte një nder i vërtetë të mirëprisja Ivanka Trump dhe bashkëshortin e saj Jared Kushner, së bashku me familjen e tyre të bukur, në brigjet e Vlorës. Momente të tilla na frymëzojnë të ndjekim përsosmërinë çdo ditë — përmes autenticitetit, elegancës dhe mikpritjes së përzemërt”, shkruhet në postim.
Ja postimi në Instagram: https://www.instagram.com/p/DLWqaavNtSJ/?utm_source=ig_embed&ig_rid=e08b3b8b-4bef-4d70-b9da-05b19606e9e5









