NDIHMA RUSE/ Khamenei i dërgon letër Putin: Të forcohet mbështetja

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i dorëzoi të hënën në Moskë një letër presidentit rus Vladimir Putin nga Ajatollah Ali Khamenei. Sipas një burimi të lartë, letra kërkonte mbështetjen e presidentit rus. Mediat e huaja shkruajnë se Teherani është i pakënaqur me nivelin e mbështetjes ruse deri më tani dhe po i kërkon Putinit të forcojë qëndrimin e tij pro-Iranit kundër Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara. Burimet nuk specifikuan se çfarë lloj ndihme po kërkon Teherani.

Rusia, një aleate e fortë e Iranit, luan një rol në negociatat mbi programin bërthamor të Iranit si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së me të drejtë vetoje dhe si një nga nënshkrueset e marrëveshjes bërthamore, nga e cila Donald Trump u tërhoq në vitin 2018. Putin ka shprehur qëllimin e tij për të ndërmjetësuar midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Irani dhe Rusia po koordinojnë qëndrimet e tyre mbi përshkallëzimin aktual në Lindjen e Mesme, raportoi të hënën agjencia e lajmeve TASS, duke cituar Ministrin e Jashtëm iranian Abbas Araghchi, i cili po viziton Moskën. Araghchi pritet të zhvillojë bisedime në Moskë të hënën me Presidentin rus Vladimir Putin. Kremlini ka një marrëveshje partneriteti ushtarak me Iranin, si dhe lidhje të ngushta me Izraelin

Duke folur në Stamboll të dielën, Araghchi tha se vendi i tij do të shqyrtojë të gjitha përgjigjet e mundshme ndaj sulmeve të SHBA-së ndaj tij dhe se nuk do të ketë kthim në diplomaci derisa të hakmerret. Për më tepër, zëvendësministri i Jashtëm iranian, Majid Takhtravandi, i tha medias gjermane, sipas agjencisë iraniane të lajmeve TASNIM, se Irani do të vazhdojë të pasurojë uraniumin dhe se askush nuk mund t’i tregojë se çfarë të bëjë, për sa kohë që vepron brenda kuadrit të angazhimeve të tij ligjore.