Një trup i pajetë u gjet pasditen e sotme në lumin Shkumbin nga një peshkatar. Ky i fundit ka njoftuar policinë, e cila ka rrethuar zonën, ndërkohë që kufoma ndodhet në zonën pranë ish-Metalurgjikut, një territor i vështirë për t’u arritur dhe me qasje të kufizuar.
Menjëherë pas njoftimit, forca të shumta policie kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë rrethuar perimetrin, duke ndaluar hyrjen e qytetarëve në zonë për të garantuar sigurinë dhe ruajtjen e provave.
Për të nxjerrë trupin nga lumi, është kërkuar asistenca e polumbarëve dhe shërbimit zjarrfikës të Elbasanit, të cilët janë në veprim për të mundësuar tërheqjen dhe transportimin e trupit drejt morgut të spitalit rajonal.
Derisa të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore, nuk ka ende informacion mbi identitetin, moshën apo gjininë e viktimës. Policia është në fazën fillestare të hetimeve dhe i bën thirrje qytetarëve që kanë dijeni për ndonjë person të zhdukur, të kontaktojnë menjëherë strukturat përkatëse.









