NEGOCIATAT/ Mbyllen bisedimet në Gjenevë – Ministrat e Jashtëm të BE pas takimit: Moment i rrezikshëm, Irani nuk mund të ketë armë bërthamore

Takimi midis ministrave të jashtëm evropianë dhe një delegacioni iranian në Gjenevë ka përfunduar. Mediat e huaja shkruajnë se ata kanë zhvilluar bisedime sot si pjesë e përpjekjeve për të lehtësuar konfliktin midis Iranit dhe Izraelit.

Bisedimet u zhvilluan në Gjenevë midis ministrave të jashtëm nga Irani, Franca dhe Gjermania, së bashku me shefen e politikës së jashtme të BE-së. Ky ishte takimi i parë i konfirmuar ballë për ballë i këtij lloji që nga fillimi i konfliktit.

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, dhe homologët e tij gjermanë, francezë dhe të BE-së, kanë dhënë një deklaratë për mediat pas bisedimeve me ministrin e jashtëm të Iranit në Gjenevë.

“Diskutimet që patëm me Iranin ishin se përshkallëzimi rajonal nuk i sjell dobi askujt”, thotë shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.

“Kjo është arsyeja pse duhet t’i mbajmë të hapura diskutimet me OKB-në”.

“Ne ishim të qartë se Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore, dhe E3 dhe Evropa e kanë bërë të qartë për shumë vite që kjo nuk mund të ndodhë. Ne jemi të etur të vazhdojmë diskutimet dhe negociatat e vazhdueshme me Iranin dhe i bëjmë thirrje Iranit të vazhdojë bisedimet me Shtetet e Bashkuara. Ky është një moment i rrezikshëm dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme që të mos shohim përshkallëzim rajonal të këtij konflikti”, u shpreh kryediplomati britanik.

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot, e përfundon informimin duke këmbëngulur se iniciativa diplomatike duhet të hapë rrugën për negociata.

Ai shton se ministri i jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha se është i përgatitur të vazhdojë diskutimet.

Pas ditësh me mesazhe gjithnjë e më agresive nga administrata Trump, kjo ka hapur mundësinë që veprimi ushtarak të mund të shmanget. Në fakt, kampi i Trump duket se është thellësisht i ndarë nëse duhet të ndërmarrë sulme të drejtpërdrejta kundër Iranit