Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump njoftoi se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me homologun rus Vladimir Putin. Në telefonatën e cila mësohet se zgjati rreth 15 minuta, Trump tha se u fol për negociatat me Ukrainën, sulmet e fundit të Kievit ndaj avionëve rus dhe armët bërthamore të Iranit.
Me anë të një postimi në rrjetin social “Truth”, Trump deklaroi se telefonata shkoi mirë, por shtoi se nga fjalët e Putinit nuk sugjerohej një paqe e menjëhershme.
Trump tha se Putin kishte deklaruar se do të hakmerrej për sulmet e Ukrainës ndaj avionëve rus, duke theksuar se ky veprim ishte i pashmangshëm. Sa i takon negociatave SHBA-Iran për armët Bërthamore, Trump tha se Putin ishte ofruar të jepte ndihmën e tij për të arritur një marrëveshje.
“Sapo mbarova së foluri në telefon me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Telefonata zgjati afërsisht një orë e 15 minuta. Diskutuam sulmin ndaj aeroplanëve të ankoruar të Rusisë nga Ukraina, si dhe sulme të tjera të ndryshme që kanë ndodhur nga të dyja palët. Ishte një bisedë e mirë, por jo një bisedë që do të çojë në paqe të menjëhershme. Presidenti Putin tha, dhe shumë fuqishëm, se do të duhet t’i përgjigjet sulmit të fundit ndaj aeroporteve.
Diskutuam gjithashtu për Iranin dhe faktin se koha po mbaron për vendimin e Iranit në lidhje me armët bërthamore, i cili duhet të merret shpejt! I thashë Presidentit Putin se Irani nuk mund të ketë armë bërthamore dhe, për këtë, besoj se ishim dakord. Presidenti Putin sugjeroi që ai do të marrë pjesë në diskutimet me Iranin dhe se ndoshta mund të jetë i dobishëm në arritjen e një përfundimi të shpejtë. Mendimi im është se Irani e ka ngadalësuar vendimin e tij për këtë çështje shumë të rëndësishme dhe do të na duhet një përgjigje përfundimtare në një periudhë shumë të shkurtër kohore”, shkruan Trump.









