LUFTA TREGETARE/ SHBA vendos tarifë fikse 50% ndaj BE – Tramp deklaron: Negociatat me Europën nuk po përparojnë

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar të vendosë tarifa doganore prej 50% ndaj Bashkimit Evropian duke filluar nga muaji tjetër, duke deklaruar se bisedimet tregtare me Brukselin “po shkojnë askund”.

Komentet u bënë përmes platformës së tij Truth Social dhe shënojnë një përshkallëzim të ri të konfliktit tregtar mes Uashingtonit dhe BE-së, që Trump e ka akuzuar më parë si një strukturë të krijuar për të “shfrytëzuar SHBA-në”.

Ndërkohë që SHBA ka arritur marrëveshje me Mbretërinë e Bashkuar dhe Kinën për të zbutur ndikimin e luftës tregtare, kërcënimi i fundit ndaj BE-së rrezikon të sjellë masa hakmarrëse nga Brukseli.

Tregjet financiare reaguan menjëherë, me ulje të ndjeshme në bursat evropiane. Indeksi FTSE 100 në Londër ra me mbi 1.2%, ndërsa DAX në Gjermani dhe CAC 40 në Francë humbën më shumë se 2%.

Frika për një dëm të mundshëm në ekonominë globale ndikoi edhe në çmimet e naftës së papërpunuar, me Brent që ra mbi 1%, duke u tregtuar në $63 për fuçi.

Edhe dollari pësoi goditje, pasi lajmi përshkallëzoi shqetësimet ekzistuese në tregjet globale mbi qëndrueshmërinë e borxhit të qeverisë amerikane. Paundi britanik, ndërkohë, ra në nivelet më të ulëta që nga shkurti i vitit 2022.

Trump gjithashtu paralajmëroi kompaninë Apple, duke thënë se do të vendosë tarifa 25% mbi iPhone-t e saj nëse nuk zhvendos të gjithë prodhimin në territorin amerikan.

Aksionet e Apple ranë me mbi 2% në tregun para hapjes pas paralajmërimit të presidentit. Aktualisht, prodhimi i iPhone kryesisht realizohet në Kinë dhe Indi – një çështje që Trump e ka ngritur vazhdimisht.

Ndërkohë, sipas një raportimi të Financial Times, Apple është në proces të zgjerimit të zinxhirit të saj të furnizimit në Indi përmes një kontraktori kyç – kompania tajvaneze Foxconn, e cila po planifikon të ndërtojë një fabrikë të re në shtetin indian të Tamil Nadus.