“PERMALLIMI”/ “Sot bëhen 100 ditë nga burgimi im”, Erion Veliaj ju qahet qytetarëve: Kam mall për ju, po më pengohet ushtrimi i detyrës si kryetar i Bashkisë

Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj, ka ardhur me një reagim nga qelia e paraburgimit në Durrës ku dhe ndodhet prej 12 shkurtit.

Në llogarinë e tij në “Facebook”, Veliaj vijon t’i mëshojë faktit se arrestimi i tij është i padrejtë dhe sot, që kanë kaluar 100 ditë nga arrestimi i tij, vijon të mbahet i burgosur, ndonëse nuk është akuzuar për asnjë vepër penale.

Sipas kryebashkiakut ky sulm që po i bëhet atij dhe familjes po ndikon dhe te detyrat e tij si qytetari i parë i Tiranës, funksion të cilin nuk po e ushtron prej shkurtit të këtij viti.

“Vazhdimi i këtij paraburgimi nuk përbën vetëm një sulm ndaj meje dhe familjes sime, por është edhe një ndërhyrje e panevojshme dhe joproporcionale në përmbushjen e detyrave publike, që më janë besuar nga qytetarët e Tiranës.

Pavarësisht burgimit mbetem i papërkulur. Çdo ditë që kalon, ma forcon edhe më shumë vendosmërinë. Angazhimi im ndaj Tiranës, ndaj jush, ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe të ardhmes së Shqipërisë mbetet i palëkundur”, shkruan Veliaj.

Postimi i plotë:

Shumë të dashur miq,

Sot bëhen 100 ditë nga burgimi im pa asnjë justifikim të arsyeshëm. Ndalimi im i padrejtë dhe arbitrar vazhdon, megjithëse nuk jam akuzuar për asnjë vepër penale. Si pasojë, po pengohem forcërisht nga ushtrimi i detyrave të mia si Kryetar i zgjedhur, me votë masive 3 herë, i Bashkisë së Tiranës.

Vazhdimi i këtij paraburgimi nuk përbën vetëm një sulm ndaj meje dhe familjes sime, por është edhe një ndërhyrje e panevojshme dhe joproporcionale në përmbushjen e detyrave publike, që më janë besuar nga qytetarët e Tiranës. Pavarësisht burgimit mbetem i papërkulur. Çdo ditë që kalon, ma forcon edhe më shumë vendosmërinë. Angazhimi im ndaj Tiranës, ndaj jush, ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe të ardhmes së Shqipërisë mbetet i palëkundur.

Do të vazhdoj të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të siguruar lirimin tim, në mënyrë që të vazhdoj t’i shërbej qytetit tonë të mrekullueshëm si kryebashkiaku juaj.

Me mall dhe dashuri për secilin prej jush!