Komisioni i Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) nuk ka marrë një vendim për vijimin e numërimit të votave të diasporës nga Greqia, duke ia lënë kështu këtë përgjegjësi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Partia Socialiste i është drejtuar me një kërkesë zyrtare KQZ-së, duke kërkuar marrjen e masave për të vijuar në mënyrë të rregullt procesin e numërimit dhe vlerësimit të zarfeve “B” të kontestuara nga grupet e numërimit. PS thekson se mungesa e vendimmarrjes nga KZAZ po pengon përparimin e procesit dhe kërkon që Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, të marrë një vendim për të garantuar përmbylljen e numërimit në përputhje me udhëzimet ligjore.









