VOTAT E GREQISE/ Balla i PS-së: Humbësit po pengojnë votimin


Balla tha se procesin e numërimit të votave të Greqisë po e pengojnë ata që kanë humbur, duke nënkuptuar një pengesë nga ana e PD-së.

“Kemi vërejtur se në komisionet e administrimit dhe votave nga jashtë nuk ka një korum për të marrë vendime për shkak të balancës politike. I jemi drejtuar komisionerit që ka të gjithë kompetencën për të përcaktuar dhe për të vijuar procesin.

Synimi ynë është që të lexohet çdo votë e ardhur nga diapsora dhe të mbyllet sa më shpejt procesi i numërimit. Ka një përpjekje për të penguar shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve nga humbësit. Por ne nuk jemi në fazën e kontestimeve, jemi në fazën ku duhet të lexohet çdo votë dhe zarf i mbërritur në KQZ. Kemi numëruar pothuajse 75% të zarfeve dhe kanë mbetur diku tek 25% për tu numëruar”, tha Balla.

I pyetur nëse kryekomisioneri Celibashi do marrë një vendim lidhur me kërkesën e bërë nga PS pasi KZAZ nuk mori një vendim për numërimin e votave nga Greqia, dhe çështja i kaloi KQZ-së, Balla preferoi të kursehej në përgjigjie duke thënë se: “Për këtë duhet të përgjigjet vetë Ilirjan Celibashi”.