“SY M’SY”/ “Mos e hidhni votën në kënetë”, Rama replika me ndjekësit: Se kur iki unë, e vendos populli

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur edhe këtë të martë ndjekësve në rrjetin social Facebook, në rubrikën e tij “Sy m’sy”.

Rama u shpjegoi disa prej komentuesve për atë që ai ka thënë se; nëse nuk do të votojnë për PS-në, është më mirë që të mos dalin fare në votime.

Rama tha se  është më mirë të mos votohet për “kënetën” pasi sipas tij kjo nuk është higjienike as politikisht, as ndërkombëtarisht.

Ai i tha një komentuese se vota për PS-në është një votë për BE-në dhe meqë po e shef se ajo nuk do të votojë për BE sipas Ramës, më mirë të mos dali në votime.

Qytetarja i shkruan: “Edi Rama frikacak, bëri deklaratën për mos të votuar. Frikacaku do shkojë te SPAK-u. Edi o frikacak e ke gati për në SPAK.”

Rama iu përgjigj kësaj komentuese duke i thënë se ka bërë një bejtje me vargje e rimë.

“Po patjetër edhe ty, Anila, të bëj thirrje të mos votosh, meqë e ke mendjen në kenetë dhe meqë nuk ke asnjë asnjë lloj tundimi që të votosh për mua dhe Partinë Socialiste, dhe me shumicën për Shqipërinë dhe BE-në. Më mirë mos voto fare, që të paktën të mos shkosh të hidhesh në kenetë. Eshte diçka që nuk është higjenike nga pikëpamja politike, qytetare dhe kombëtare. Këtë thirrje të bëj unë, mos shko të hidhesh në kenetë, të tjerat ia lëmë kohës,” tha Rama.

Rama iu përgjigj dhe shumë pyetjeve të tjera nga ndjekësit ndërsa dikush e pyeti pse vazhdon të qëndrojë dhe dëshiron një mandat tjetër, por nuk largohet nga politika. Rama iu përgjigj se nëse largohet apo jo, e vendos populli.