Rreth orës 00:05, të datës 01.05.2025, në lagjen “Partizani”, në katin e parë të banesës së shtetasit A. P., dyshohet se ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse, gjatë kohës që në banesë nuk ka pasur njeri.
Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Banorët e pallatit ku ndodhi shpërthimi në Elbasan kanë folur për mediat, duke thënë se ka qenë një shpërthim shumë i fuqishëm dhe se ata janë trembur. Nga shpërthimi janë shkaktuar thyerje të shumta xhamash në apartamente dhe tronditje të madhe te banorët e pallatit.
Shpërthimi me lëndë plasëse u dëgjua gjatë natës në lagjen “Partizani” në Elbasan. Si pasojë, pati thyerje të xhamave të dritareve të disa apartamenteve. Lënda plasëse ishte vendosur në oborrin e pallatit, afër hyrjes së një apartamenti.
Një banor i zonës ka folur për mediat, duke thënë: “Ora ishte rreth një e natës, po flija me vajzën kur dëgjuam një krismë shumë të fortë. Menduam se ndodhi ndonjë zjarr, por dolëm të shikonim dhe kishim frikë mos na vinte ndonjë brenda. Unë jetoj në katin e dytë dhe më janë dëmtuar xhamat komplet. Këtu jeton një burrë me fëmijën dhe gruan, por ata ishin larguar gjatë mbrëmjes. Ata dolën aq shpejt, sa zemra më rrihte pa pushim. Ishte një zhurmë e madhe.”
Një banor tjetër thotë: “Ishte një shpërthim i fuqishëm. Sapo kishim rënë në gjumë, dëgjuam xhamat të thyhen dhe i gjithë ambienti ishte jashtë mase i fuqishëm. Ka ndodhur në katin e parë. Po merret ekspertiza dhe ishim të gjithë të trembur.”
Po punohet për të zbardhur dinamikën e ngjarjes dhe policia, së bashku me prokurorinë, po mbledh prova të shumta për të identifikuar autorët dhe organizatorët e shpërthimit.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet me qëllim zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve.









