KURTI VE ALARMIN/ Thërret në takim urgjent Këshillin e Sigurisë, Kryeministri i Kosovës: Serbia po planifikon destabilizim të situatës në vend

Sipas njoftimit nga Qeveria e Kosovës, Këshilli i Sigurisë së Kosovës mbajti mbledhje sot me kërkesë të Kryeministrit Albin Kurti, ku u diskutua për gjendjen e përgjithshme të sigurisë dhe kërcënimet destabilizuese të Serbisë, raporton GazetaBlic.

U raportua për sulmin ndaj zyrës së Postës së Kosovës në Zveçan më 1 prill, si dhe për arrestimin e katër shtetasve serbë në Gjakovë, njëri prej të cilëve ishte oficer i policisë dhe ushtrisë serbe.

Gjithashtu, sipas njoftimit të qeverisë, në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë u theksua ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet e fundit dhe përpjekjet për të sabotuar formimin e institucioneve të reja të Kosovës, duke përdorur kërcënime dhe shantazhe ndaj deputetëve të komunitetit joshumicë.

Këshilli kërkoi që të gjitha institucionet e Kosovës të ruajnë gatishmërinë dhe vigjilencën e nevojshme.

Qeveria e Republikës së Kosovës :

Komunikatë për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës

Prishtinë, 6 prill 2025

Këshilli i Sigurisë së Kosovës mbajti mbledhje sot me kërkesë të Kryeministrit të Republikës, Albin Kurti.

U raportua dhe diskutua për gjendjen e përgjithshme të sigurisë me theks te planet destabilizuese dhe ndërhyrjet kriminale të Serbisë. Më 1 prill pas mesnate u sulmua me dy granata dore zyra e Postës së Kosovës në Zveçan, nga të cilat njëra shpërtheu. Zyra e Postës në Zveçan është riparuar plotësisht dhe tani vijon normalisht dhënia e shërbimeve publike atje. Kur kësaj i shtojmë edhe arrestimin e mbrëmshëm të katër ‘pelegrinëve’ serbë në Gjakovë – nga të cilët njëri ishte toger i policisë së Serbisë e tjetri kapiten i ushtrisë së Serbisë, dhe krejt çfarë u është konfiskuar atyre – kërkohet që të gjitha institucionet dhe mekanizmat e shtetit ta mbajnë lart vëmendjen dhe gatishmërinë.

Në këtë mbledhje u konstatua se përveç ndërhyrjeve të Serbisë në fushatën zgjedhore dhe në zgjedhjet parlamentare në Kosovë të 9 shkurtit 2025, përmes Listës Serbe dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq si kryetar “de facto” i saj, Serbia tash po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë. Me kërcënime e joshje, dhe sidomos me shantazhe, ajo po orvatet që nxis tensione nëdretnike e ndërpartiake në Kosovë dhe ta destabilizojë Kosovën. Kjo paraqet ndërhyrje flagrante ndaj sovranitetit shtetëror, funksionimit demokratik dhe integritetit institucional të vendit tonë. Njëkohësisht, ndaj serbëve të Kosovës, Serbia po ushtron trysni të paparë për pjesëmarrje në tubimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, e që është paralajmëruar për javën që vjen. Regjimi i Vuçiqit po synon eksportim të krizës në Kosovë dhe jo vetëm, teksa vetë ai ndodhet në krizën më të madhe ndonjëherë.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës falenderon të gjithë qytetarët për mbështetjen e shtetit tonë dhe të institucioneve të tij.